Postimi i plotë:
“Përkundër përpjekjeve për 53 ditë kushtetuese për të gjetur zgjidhje rreth çështjes së Presidentit, dhe vetëm Presidentit, sot, me keqardhje them se nuk kemi arritur të gjejmë një zgjidhje.
Siç kemi thënë nga fillimi, Presidenti nuk mund të jetë zgjatim i Qeverisë. Insistimi për një President të VV-së na dërgoi në krizë para aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Insistimi i sërishëm për President të VV-së nuk e ndërpreu krizën që na dërgoi në Gjykatën Kushtetuese. Asgjë nuk ka ndryshuar.Përkundër përpjekjes sonë për konsensus, përkundër gatishmërisë sonë për një kandidat konsensual, me keqardhje themi se insistimi për një President nga radhët e VV-së e pamundëson mbështetjen tonë për çështje parimore, logjike dhe në interes të Republikës. Çështjet tjera, propozimet tjera, nuk kanë mund të trajtohen pa kapërcyer çështjen thelbësore të krizës – Presidentitn.
Prandaj, nga sot, LDK i konsideron të përmbyllura diskutimet mbi çështjen e Presidentit.Provuam për 53 nga 60 ditët kushtetuese. E drejtë është të mos shpenzojmë gjithe kohën e mbetur. U lëmë rastin të tjerëve të kontribuojnë në këtë drejtim. Shmangja e zgjedhjeve të reja do t’i kontribuuonte stabilitetit të vendit. LDK as nuk mund t’i shkaktojë e fatkeqësisht as parandalojë ato.
Nga tash e tutje, do të vazhdojmë angazhimin për përbashkimin e madh të së djathtës brenda LDK-së; si domosdoshmëri politike dhe si përgjigje ndaj nevojës së qytetarëve për një alternativë serioze, të qëndrueshme dhe shtetformuese.”