Politologu Albinot Maloku ka thënë se takimi mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për çështjen e presidentit, i cili përfundoi pa marrëveshje, është në vazhdën e qasjes së Lëvizjes Vetëvendosje për të refuzuar kompromisin politik.
Ai për Ekonomia Online tha se kjo qasje reflekton mosnjohjen e realitetit politik dhe të nevojës për kompromis në një sistem demokratik.
“Asgjë e re, është në vazhdën e traditës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe kreut të saj për të refuzuar disa çështje, jo vetëm subjektet e tjera dhe partnerët potencialë, por edhe njohjen e faktit që Republika e Kosovës është një sistem politik demokratik, ku parimi dhe koncepti i kompromisit janë fjalë kyçe. Refuzimi për të njohur realitetin e fuqisë së numrave që prodhon një proces zgjedhor dhe vazhdimi i refuzimit ndaj të tjerëve, duke provuar maksimalisht që ta ketë në qendër dominancën e skenës politike në Republikën e Kosovës dhe në asnjë mënyrë të mos ofrojë, përmes pranimit të këtyre gjërave, kompromisin si fjalë kyçe të rendit kushtetues-politik në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës ka treguar durim në përpjekjet për të arritur marrëveshje.
“Subjektet opozitare, në këtë rast Lidhja Demokratike e Kosovës, ndaj së cilës duhet pasur mirënjohje për durimin e saj për të zhvilluar takime pas takimesh me një figurë politike e cila nuk arrin t’i njohë këto që i thamë më përpara. Dhe për këtë durim, Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të ketë mirënjohjen e qytetarëve”, tha ai.
Ai shtoi se edhe Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar qartësi nga pushteti lidhur me qëllimin e takimeve.
“Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që të ketë — gjithherë duke u bazuar në këtë mosnjohje të këtyre segmenteve përbërëse të rendit politik në Republikën e Kosovës — konkretizim nga Lëvizja Vetëvendosje se çfarë dëshiron nga takimi. Dhe unë konsideroj se edhe kjo është në vazhdën e një interesi të subjekteve politike opozitare që vendi të mos shkojë në asnjë mënyrë në zgjedhje. Interes ky që nuk është dominant te Lëvizja Vetëvendosje”, tha ai.
Maloku theksoi se, sipas tij, ekziston një tendencë për të shkuar drejt zgjedhjeve të reja.
“Pra, edhe në këto situata trazirash të nivelit ndërkombëtar, si dhe nevojave të qytetarëve të Republikës së Kosovës, subjekti më i madh në vend, më i madhi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, i pakënaqur me gjithë këtë mbështetje që ka marrë nga populli, po dëshiron që qytetarët t’i maltretojë sërish me një proces të ri zgjedhor dhe kam përshtypjen se kjo është ambicia e tyre thelbësore”, tha ai.
