Agim Bahtiri për LDK-në: Nuk do bashkëpunim, kërkon pazare si para një dekade

Prishtinë | 20 Pri 2026 | 20:27 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Vetëvendosjes, Agim Bahtiri, me anë të një postimi në profilin e tij në FB ka goditur Lidhjen Demokratike të Kosovës, pasi u bë e qartë se nuk u dakorduan me Kurtin për arritjen e një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri.

Bahtiri shkruan “sot u vërtetua se LDK-ja e Lumir Abdixhikut ka mbetur peng i mentalitetit të vjetër. Megjithëse u ofruam ofertat më serioze, duke përfshirë 4 ministri dhe Zëvendëskryeministrin e parë, ose si alternativë Kryetarin e Kuvendit, ata refuzuan. Kjo dëshmon se LDK-ja nuk kërkon bashkëpunim për shtetin, por kërkon pazare si para një dekade”.

Sipas tij, “mospranimi i kësaj oferte shumë serioze dëshmon se ata nuk kanë qëllim që të qeverisin vendin cep më cep, por qëllimi i tyre ende mbetet që të jenë bashkë me Listen Serbe për ndarjen e Kosovës. Kjo u dëshmua edhe të premten, kur opozita e ftoi Listën Serbe që të jetë e pranishme në sallë, për të mos pasur mundësi që Lëvizja Vetëvendosje me partnerët e vet, t’i ketë dy të tretat e votave në kuvend, për të zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, sepse ata duan ta mbajnë peng edhe Gjykaten Kushtetuese”.

Tutje, ai shprehet “duhet ta kuptoni mirë: Albin Kurti nuk është si ish-kolegët tuaj me të cilët bënit marrëveshje brenda natës, ku “kumbarë” e kishit gjithmonë Radojçiqin për të siguruar karriget tuaja”.

“Ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje sa herë që duhet, por marrëveshje në dëm të Kosovës nuk bëjmë kurrë. Ne nuk jemi si ju”, vijon ai.

Në fund ai shkruan “i bëj thirrje anëtarësisë së LDK-së së Ibrahim Rugovës: Ngrihuni dhe çlirohuni nga këta uzurpatorë që Kosovën e kanë pikën e fundit të rendit të ditës. Ne nuk jemi si ju. Shteti nuk është në shitje!”.

Të ngjashme