Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, foli për proceset politike në vend, përfshirë agjendën evropiane, takimin Kurti–Abdixhiku dhe zhvillimet rreth zgjedhjes së presidentit, duke theksuar nevojën për përfshirje të të gjithë akterëve dhe duke akuzuar opozitën për bllokadë të proceseve institucionale.
Ai theksoi se agjenda evropiane, anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet e pandryshueshme dhe kërkon kontributin dhe pjesëmarrjen prej secilit prej akterëve të shoqërisë dhe jo vetëm të qeverisë.
Duke folur për takimin e kryeministrit Albin Kurti me kreun e LDK-së në kuadër të përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit, Zulfaj tha se “tashmë kryeministri Kurti ka dhënë një konferencë sot, në të cilën ka shpalos ofertën të cilën ia ka bërë në këtë rast LDK-së”, duke rikujtuar edhe zhvillimet e vitit të kaluar për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryetarit të tij.
“Gjykata Kushtetuese kishte interpretu që i takon partisë së parë, mirë ishte që të votohej sikur u votua dikur”, u shpreh ai në RTK.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Zulfaj tha se opozita duhet të marrë pjesë në proces dhe të ushtrojë përgjegjësinë e saj në Kuvend, duke theksuar se “votat për ta zgjedhur presidentin i kemi… dhe kërkohet që deputetët të qëndrojnë në Kuvend dhe të votojnë kundër ose të abstenojnë nëse nuk e mbështesin kandidatin”.
Ai shtoi se “vitin e kaluar kur kërkohej marrëveshje politike… e kanë marrë përgjigjen nga qytetarët”, duke argumentuar se tani nuk duhet të ketë vonesa në konstituimin e institucioneve.
Ai shtoi se “tash e kemi zgjedhjen e presidentit për të cilën votat PËR i kemi, sepse kemi 66 vota si koalicion, 57 si subjekt partia Vetëvendosje”, duke kërkuar që deputetët e tjerë “të ushtrojnë të drejtën dhe obligimin e tyre të qëndrojnë në Kuvend”.
“Vitin e kaluar kur nuk i kishim votat, ju e dini që ata vinin në Kuvend… këtë vit, tash që duhet të rrinë në Kuvend, pikërisht sepse e dinë që nuk i kemi votat, nuk vijnë në Kuvend”, tha ai.
Zulfaj deklaroi se kryeministri Kurti ka ofruar edhe marrëveshje politike. “Sot kryeministri Kurti ka ofruar marrëveshje politike, zëvendëskryeministrin, 4 poste ministrore, ndër ta edhe ministri i punëve të jashtme, me 15 deputetë thonë jo”, u shpreh ai.
Sipas tij, bllokada dhe qëllimi i bllokadës, nuk ka ndonjë emër tjetër, ajo që po bllokohet është materializimi i vullnetit të qytetarëve”.
“Bllokada dhe qëllimi i bllokadës nuk ka ndonjë emër tjetër, ajo që po bllokohet është materializimi i vullnetit të qytetarëve. Zgjedhjet ishin historike, rezultati historik. Me gjithë këtë fitore, me gjithë këtë pjesëmarrje të qytetarëve, të bllokohet prapë qeverisja dhe të futemi prapë në kriza artificiale është e dëmshme”, tha Zulfaj në ‘RTK Prime’.
I pyetur nëse Vetëvendosje është e gatshme të heqë dorë nga kandidati për president për hir të kompromisit, Zulfaj tha: “tashmë janë bërë ofertat nga kryeministri, ato reflektojnë vullnetin e zgjedhjeve, pra nuk mund të heq dorë kryeministri nga rezultati i zgjedhjeve”.