Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në seancën plenare që po mbahet për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të Radiotelevizioni i Kosovës kërkoi që ky institucion të jetë i lirë nga ndikimet politike, raporton Ekonomia Online.
Zemaj kërkoi që procesi të jetë transparent që të ketë një televizion publik që informon drejtë dhe paanshëm
“Duhet theksuar se, për të mos u përsëritur ajo çka ka ndodhur në të kaluarën dhe për të pasur një Radio Televizion publik i cili në misionin e tij themeltar e ka informimin e drejtë publik, të paanshëm dhe pa ndikim nga politika, është shumë esencial dhe tepër përmbajtësor që të kemi edhe anëtarë të bordit që janë të pavarur dhe që i kryejnë detyrat sipas ligjit, dhe nuk lejojnë ndërhyrje qoftë në pjesën menaxheriale, por edhe editoriale apo politike të këtij mediumi publik. Ajo çka ka ndodhur vitet e fundit në Radio Televizionin Publik, jemi të gjithë dëshmitarë që ka pasur shumë anime politike, jo transparencë dhe mbi të gjitha ndërhyrje nga shumica parlamentare, ose më mirë të themi drejtpërdrejt nga qeveria. Edhe ankesat kanë shkuar deri në atë nivel, madje edhe te kritika ndërkombëtare e organizatave të pavarura dhe shumë kredibile. Ajo çka kemi kërkuar në këtë proces është transparenca dhe t’u mundësohet edhe kandidatëve, por edhe deputetëve kohë e mjaftueshme për shqyrtimin e aplikacioneve, dhe mbi të gjitha kandidatët të jenë të përgatitur dhe të barabartë”, tha Zemaj.