Lushaku-Sadriu: Pozhari po shpif për deklarimin e pasurisë, bëhet fjalë për 94 mijë euro, jo 9 milionë

Prishtinë | 24 Pri 2026 | 19:03 | Nga Ekonomia Online

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar ndaj deklaratave të gazetarit Xhevdet Pozhari, duke e akuzuar për shpifje dhe propagandë lidhur me deklarimin e pasurisë së saj.

Ajo ka sqaruar se në formularin e saj të pasurisë është deklaruar një shumë prej 94 mijë eurosh nga shitja e një banese familjare në Qerret, dhe jo 9 milionë euro, siç pretendon Pozhari.

“Paska shpifur sërish propaganduesi i Vetëvendosjes, Xhevdet Pozhari duke u munduar që me gënjeshtra të mbulojë pamundësinë që ta rehatoj gruan e tij në Gjykatën Kushtetuese,” ka deklaruar Lushaku-Sadriu.

Duke iu drejtuar qytetarëve, ajo ka theksuar: “Në deklarimin tim të pasurisë kam deklaruar një transfer nga shitja e banesës që e kemi pasur si familje në Qerret në vlerë prej 94 mijë eurosh, e jo 9 milionë siç po mashtron qëllimshëm dhe me vetëdije propaganduesi Pozhari.”

Sipas saj, një gazetar profesionist do të duhej të verifikonte informacionin para publikimit.

“Një gazetar profesionist do ta konfirmonte informacionin dhe, edhe pa konfirmim, do t’ia merrte mendja që një banesë nuk ka mundësi të kushtojë 9 milionë,” është shprehur ajo.

Lushaku-Sadriu shtoi se bëhet fjalë për një gabim teknik, për të cilin, sipas saj, tashmë është njoftuar edhe Agjencia Kundër Korrupsionit.

Ajo ka kritikuar ashpër atë që e cilësoi si tendencë për manipulim të opinionit publik.

“Ky propagandues, që sot shpif mbi gabime teknike, e bën këtë me qëllim dhe vetëdije të plotë. Mjerë vendi kur njerëz të tillë, me qëllim të pastër propagandistik, ndërtojnë narrativa mbi pavërtetësi, vetëm për të larguar vëmendjen nga realiteti me të cilin përballen qytetarët çdo ditë,” ka shtuar ajo.

Të ngjashme