Gërvalla: Drejtësia për Banjskën filloi të vihet në vend, por duhet të përfundojë me ndëshkimin e të gjithë përgjegjësve

Prishtinë | 24 Pri 2026 | 19:53 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas aktgjykimeve për sulmin në Banjskë, duke theksuar se një pjesë e drejtësisë është vendosur, por se procesi duhet të përfundojë me ndëshkimin e të gjithë të përfshirëve.

“Sot drejtësia foli. Jo e plotë, por një pjesë domethënëse e drejtësisë u vendos sot në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Gërvalla theksoi se vendimet e gjykatës nuk mund të rikthejnë jetën e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë sulmit në Banjskë.

“Aktgjykimet për sulmin terrorist në Banjskë nuk e kthejnë në jetë Heroin e Kosovës, rreshterin e Policisë, Afrim Bunjaku, i cili ra duke mbrojtur rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit”, u shpreh ajo.

Ajo shtoi se këto vendime nuk e ndryshojnë faktin që, sipas saj, sulmi ishte i organizuar nga Serbia dhe mbetet një rrezik i vazhdueshëm.

“Ato nuk e ndryshojnë faktin se Serbia e përgatiti, e organizoi, e mbështeti dhe e financoi këtë sulm dhe se ky rrezik mbetet i pranishëm”, tha Gërvalla.

Sipas saj, gjithashtu mbetet shqetësuese hezitimi i një pjese të bashkësisë ndërkombëtare për ta cilësuar sulmin si agresion.

“Ato nuk e ndryshojnë as hezitimin e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare për ta quajtur këtë akt me emrin që e meriton: sulmi ishte sulm, vrasja ishte vrasje, agresioni ishte agresion, një sulm i hapur agresor i shtetit serb ndaj Republikës së Kosovës”, theksoi ajo.

Megjithatë, ministrja vlerësoi se aktgjykimet vendosin përgjegjësi konkrete për të përfshirët.

“Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq me 30 vite burgim, për përfshirjen e tyre në këtë sulm”, deklaroi ajo.

Gërvalla kërkoi që drejtësia të mos mbetet e pjesshme dhe që të gjithë të dyshuarit të përballen me drejtësinë, përfshirë edhe Milan Radoiciq.

“Të gjithë të përfshirët, përfshirë organizatorin dhe drejtuesin e këtij grupi, Millan Radoiçiq, duhet të ekstradohen dhe të dalin para drejtësisë në Republikën e Kosovës”, u shpreh ajo.

Në fund, ajo theksoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi pa kompromis.

“Republika e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi, pa kompromis, për çdo akt që cenon rendin kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve të saj. Institucionet nuk do të ndalen derisa secili përgjegjës për këtë krim, dhe për çdo krim tjetër kundër Republikës sonë, të japë përgjegjësi para drejtësisë, pavarësisht emrit, pozitës apo rolit të tij”, shtoi Gërvalla.

Të ngjashme