Anëtari i ekipit mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Lirim Greiçevci, ka bërë të ditur se ka uruar personalisht për ditëlindje ish-presidentin Hashim Thaçi, duke theksuar se ai është mirënjohës për mbështetjen e qytetarëve.
Në një postim publik, Greiçevci tha se ka pasur mundësi komunikimi të drejtpërdrejtë me Thaçin si pjesë e ekipit të tij mbrojtës.
“Një nga përparësitë që e kam si anëtar i ekipit mbrojtës të Presidentit Hashim Thaçi është që kam mundësi të komunikoj drejtpërsëdrejti me të”, ka shkruar ai.
Ai shtoi se gjatë takimit i ka përcjellë edhe urimet e shumta të qytetarëve për ditëlindjen e Thaçit.
“Sot e kisha privilegjin që t’ia uroj ditëlindjen personalisht. Më me rëndësi, e informova për mijëra e mijëra urime për ditëlindjen e tij që kam parë në rrjete sociale, ku qytetarët shprehin dëshirën që kjo të jetë ditëlindja e tij e fundit në ambientet e paraburgimit në Hagë”, ka theksuar Greiçevci.
Sipas tij, Thaçi është mirënjohës për mbështetjen që po merr nga qytetarët.
“Presidenti Thaçi është shumë mirënjohës ndaj secilit qytetar të Kosovës dhe mezi pret t’i falënderojë personalisht, për gjithë mbështetjen që kanë treguar përgjatë këtyre viteve të rënda”, ka shkruar ai.
Në fund të postimit, Greiçevci ka publikuar edhe një fotografi nga një ngjarje e mëhershme, duke kujtuar një pritje në akademinë ushtarake britanike Royal Military Academy Sandhurst, ku Thaçi ishte nderuar me ceremoni ushtarake në ditëlindjen e tij më 24 prill 2017.