Rikthimi i një shkatërrueseje

Prishtinë | 01 Maj 2026 | 18:44 | Nga Imer Mushkolaj

Vjosa Osmani po pretendon të rikthehet në LDK thuajse nuk ka ndodhur asgjë. Thuajse nuk është ajo që e sakatoi, shkatërroi ish-partinë, të cilës i shkaktoi humbjen më të madhe historike. E pashpjegueshme lehtësia me të cilën asaj i hapen dyert dhe konsiderohet shpëtimtare e partisë.

Rikthimi i mundshëm i Vjosa Osmanit në LDK po trajtohet nga disa zyrtarë të kësaj partie si një lloj “hapjeje e re”, një ftesë për ribashkim, madje si një mundësi për ringritje. Në pamje të parë, kjo tingëllon si një përpjekje për të tejkaluar të kaluarën dhe për të bashkuar energjitë politike. Por në thelb, kjo është një histori që kërkon më shumë se retorikë pajtimi. Kërkon kujtesë.

Sepse LDK’ja nuk është në këtë gjendje rastësisht. Nuk ra në 12 për qind nga lodhja e elektoratit apo nga ciklet natyrore të politikës. Rënia ishte rezultat i përçarjeve të brendshme, luftërave për pushtet dhe figurave që, në emër të reformës, e çuan partinë drejt fragmentimit. Në këtë kapitull, roli i Vjosa Osmanit nuk mund të anashkalohet.

Ajo nuk ishte një figurë periferike që u largua në heshtje. Përkundrazi, ajo u shndërrua në simbol të një përplasjeje të fortë brenda LDK-së, një përplasje që përfundoi me ndarje dhe dobësim drastik të partisë. Retorika e saj kundër strukturave të brendshme, kundërshtimi i vendimeve të partisë dhe më pas dalja e saj për të ndërtuar një projekt të ri politik, ishin goditje të drejtpërdrejta për një subjekt që historikisht kishte funksionuar mbi një lloj kohezioni të brendshëm.

Pas largimit, ajo nuk mbeti në një distancë neutrale. Përkundrazi, kaloi në një aleancë të qëndrueshme me Albin Kurtin dhe subjektin e tij politik. Për pesë vjet, si presidente, ajo ishte më shumë se një figurë institucionale neutrale. Në perceptimin publik, ajo shpesh u pa si një aleate e qartë e pushtetit ekzekutiv, duke e mbështetur Kurtin pothuajse në çdo hap të rëndësishëm politik.

Kjo e bën edhe më të ndërlikuar idenë e rikthimit të saj në LDK. Sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me një figurë që largohet dhe rikthehet, por me një figurë që ndërkohë ka ndërtuar një identitet të ri politik, të lidhur fort me një kamp tjetër.

Prandaj, deklaratat e zyrtarëve të LDK-së se “ajo është e mirëseardhur” duken më shumë si shenjë e një konfuzioni strategjik, sesa si një plan i menduar mirë. Çfarë do të thotë në të vërtetë rikthimi i saj? A është kjo një përpjekje për të rikthyer votat e humbura, apo një pranim i heshtur se partia nuk ka arritur të prodhojë figura të reja që mund ta nxjerrin nga kriza?

Rikthimi i Osmanit nuk është një akt neutral. Është një akt me peshë simbolike. Në mënyrë figurative, është sikur një figurë që ka qenë pjesë e procesit të dobësimit të partisë, të rikthehet si shpëtimtare e saj. Një lloj paradoksi politik që vështirë se mund të shpjegohet pa një dozë të madhe ironie.

Në politikë, rikthimet nuk janë të pazakonshme. Ka plot shembuj të figurave që largohen, ndërtojnë kapital politik diku tjetër dhe më pas kthehen. Por zakonisht këto rikthime ndodhin në rrethana të qarta: kur figura në fjalë ka fituar diçka që partia e saj e vjetër nuk e kishte, ose kur partia ka nevojë për një profil të caktuar që nuk mund ta gjejë brenda vetes.

Në rastin e Osmanit, pyetja është: çfarë sjell ajo sot që nuk e kishte dje? A është ajo një figurë që mund ta bashkojë LDK’në, apo një figurë që rrezikon ta përçajë edhe më tej? Nuk duhet harruar se largimi i saj nuk ishte një episod i vogël, por një moment që la pasoja të thella në strukturën dhe identitetin e partisë.

Një tjetër dimension i kësaj historie është edhe raporti me elektoratin. LDK’ja ka humbur një pjesë të madhe të votuesve të saj tradicionalë pikërisht në periudhën kur përçarjet e brendshme ishin më të theksuara. A do ta shohin këta votues rikthimin e Osmanit si një sinjal pozitiv, apo si një rikthim në të njëjtin cikël konfliktesh që i largoi nga partia? Politika nuk është vetëm çështje figurash, por edhe çështje besimi. Dhe besimi është i vështirë të rikthehet kur historia përsëritet me të njëjtët protagonistë.

Nga ana tjetër, vetë Osmani përballet me një dilemë po aq të madhe. Rikthimi në LDK do të nënkuptonte një ripozicionim të plotë politik. Nga një figurë që ka qenë në krah të pushtetit aktual, ajo do të duhej të rikthehej në një parti që sot është në opozitë dhe që ka një raport të tensionuar me atë pushtet. A është ajo e gatshme për një transformim të tillë? Dhe më e rëndësishmja: a është e besueshme një lëvizje e tillë në sytë e publikut?

Elektorati kosovar, pavarësisht se shpesh nënvlerësohet, ka një kujtesë politike më të gjatë sesa mendohet. Ai e di se kush ka qenë ku dhe kur. Dhe në një kohë kur besimi në politikë është i brishtë, çdo lëvizje që duket si oportunizëm mund të ketë kosto të lartë.

Në fund, kjo histori nuk është vetëm për Vjosa Osmanin. Është për LDK’në. Për aftësinë e saj për të reflektuar mbi të kaluarën dhe për të ndërtuar një të ardhme që nuk varet nga rikthimi i figurave që kanë qenë pjesë e krizës së saj. Sepse një parti që kërkon shpëtim tek e kaluara, rrezikon të mbetet peng i saj.

Nëse rikthimi i Osmanit shihet si zgjidhje, atëherë problemi i LDK’së është më i thellë sesa duket, ngase nuk bëhet fjalë për mungesë figurash, por për mungesë drejtimi. Në politikë ndonjëherë është më e lehtë të hapësh derën për dikë që ka qenë brenda, sesa të ndërtosh diçka të re. Por kjo nuk do të thotë se është zgjedhja e duhur. Historia ka një mënyrë të çuditshme për t’u përsëritur. Nëse nuk mësohet prej saj, ajo zakonisht nuk përsëritet si farsë, por si krizë edhe më e thellë.

Të ngjashme