Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK sh.a.), Gramos Hashani, së bashku me Drejtorin Operativ,Ramadan Sokoli, po mbikëqyrin drejtpërdrejt dhe në mënyrë të vazhdueshme zbatimin e projekteve strategjike për modernizimin e njësive në Termocentralin Kosova B.
Në kuadër të këtij angazhimi, janë zhvilluar vizita të rregullta në terren dhe takime pune me stafin menaxhues dhe ekipet teknike, ku është vlerësuar nga afër progresi i punimeve që po realizohen me intensitet të lartë dhe mobilizim të plotë profesional. Këto ndërhyrje synojnë rritjen e sigurisë operacionale, përmirësimin e performancës teknike dhe avancimin e standardeve mjedisore.
Projektet aktuale, përfshirë modernizimin e turbinave dhe instalimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx në njësinë B1, si dhe realizimin paralel të remontit vjetor në njësinë B2, përfaqësojnë ndër ndërhyrjet më të rëndësishme teknike në historinë e TC Kosova B dhe dëshmojnë për një angazhim të fuqishëm institucional në transformimin dhe modernizimin e kapaciteteve prodhuese të KEK-ut.
Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv, Hashani, ka shprehur mirënjohje të thellë për përkushtimin, disiplinën profesionale dhe punën intensive të të gjithë punonjësve dhe stafit menaxhues të Termocentralit Kosova B.
“Angazhimi i jashtëzakonshëm i stafit në terren dhe menaxhmentit të TC Kosova B është dëshmi e qartë e kapaciteteve profesionale që posedon KEK. Puna që po zhvillohet aktualisht ka peshë strategjike për sigurinë energjetike të vendit dhe për avancimin e KEK-ut drejt standardeve evropiane,” theksoi z. Hashani.
KEK mbetet i përkushtuar që, përmes këtyre investimeve dhe angazhimit të përgjithshëm të burimeve njerëzore dhe teknike, të sigurojë operim të qëndrueshëm, të sigurt dhe në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.
