Haradinaj përkujton Agron Rrahmanin: Hero që jetën ia kushtoi lirisë së atdheut

Prishtinë | 12 Maj 2026 | 09:31 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar Heroin e Kombit, Agron Rrahmani, në përvjetorin e rënies së tij heroike.

Haradinaj ka vlerësuar lart figurën dhe kontributin e Agron Rrahmanit në organizimin e luftës për çlirimin e Kosovës, duke theksuar trimërinë, guximin dhe idealet e tij të larta kombëtare.

“Në përvjetorin e rënies së tij heroike, përulemi me respekt e krenari para veprës së tij, si hero që jetën ia kushtoi lirisë së atdheut dhe mbeti përjetësisht simbol i sakrificës dhe atdhedashurisë”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka kujtuar edhe ngjarjet e 12 majit 1998, kur pushkët e luftëtarëve të lirisë kumbuan në Anadrini, ndërsa betejat në Ratkoc, Vrajakë, Bratotin dhe Malësi të Vogël shënuan një kapitull të ri të Luftës Çlirimtare në Zonën Operative të Pashtrikut.

Haradinaj ka theksuar se jo rastësisht 12 Maji shënohet si Dita e Dëshmorëve në Komunën e Rahovecit, duke përkujtuar rënien heroike të Milaim Krasniqit, Elmi Morinës dhe, një vit më pas, të luftëtarit Bedrush Gashi.

“Lavdi të gjithë atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës ndër breza!”, ka përfunduar Haradinaj në postimin e tij.

Të ngjashme