Rexhepi: Shqiptarët nuk do ta humbasin besimin në të vërtetën e luftës çlirimtare

Prishtinë | 12 Maj 2026 | 18:57 | Nga Ekonomia Online

Agim Rexhepi, kryetar i shoqatës “Miqtë e Amerikës” ka reaguar pas publikimit të pamjeve nga ambientet e paraburgimit në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku po mbahen ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në reagimin e tij, Rexhepi shpreh shqetësim të thellë moral, kombëtar dhe politik, duke thënë se shumë qytetarë shqiptarë nuk i kanë parë këto publikime si akt transparence apo humanizmi, por si përpjekje për ta përgatitur opinionin publik për vendime të rënda ndaj ish-krerëve të luftës çlirimtare.

Ai thekson se emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit përfaqësojnë një kapitull të rëndësishëm të rezistencës së popullit shqiptar për liri dhe dinjitet.

Postimi i plotë:

Me gjithë respektin institucional për Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas publikimit të pamjeve nga ambientet ku të paraburgosurit shqiptarë në Hagë kalojnë kohën e tyre përfshirë hapësirat e fitnesit, këndet e qëndrimit ditor dhe ambientet për takime familjare shumë qytetarë shqiptarë nuk e kanë parë këtë si një akt humanizmi apo transparence, por si një përpjekje të kujdesshme për ta përgatitur opinionin publik për vendime të rënda ndaj ish-udhëheqësve të luftës çlirimtare të Kosovës.

Për mua personalisht, dhe për shumë shqiptarë që ende besojnë në të vërtetën historike të luftës sonë për liri, kjo krijon shqetësim të thellë moral, kombëtar dhe politik. Emrat e Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk janë thjesht individë në një proces gjyqësor ata përfaqësojnë një kapitull të tërë të rezistencës së popullit shqiptar për liri, dinjitet dhe mbijetesë.

Asnjë popull demokratik nuk mund të qëndrojë indiferent kur historia e një lufte çlirimtare rrezikon të deformohet përmes narrativave të ndërtuara mbi propagandën e një regjimi që kreu krime të tmerrshme mbi popullin shqiptar të Kosovës.

Është e dhimbshme kur shumë shqiptarë krijojnë bindjen se procesi po mbështetet më shumë në pretendime të dala nga aparati politik, policor dhe propagandistik i regjimit çetnik e fashist serb, sesa në frymën e drejtësisë së paanshme dhe të balancuar ndërkombëtare. Zotërinj gjykatës dhe prokurorë, drejtësia nuk matet vetëm me procedura juridike.

Drejtësia matet me ndërgjegjen historike, me balancën morale dhe me aftësinë për të mos e barazuar viktimën me agresorin. Nëse një ditë historia do të dëshmojë se vendimet janë ndërtuar mbi dëshmi të manipuluara, mbi bashkëpunëtorë të dyshimtë apo mbi narrativat e një regjimi që kreu spastrim etnik dhe masakra, atëherë dëmi ndaj besimit në drejtësinë ndërkombëtare do të jetë i madh dhe afatgjatë.

Megjithatë, populli shqiptar nuk do ta humbasë besimin tek e vërteta e luftës së tij çlirimtare. Revolta qytetare dhe demokratike e shqiptarëve kudo në botë do të jetë zëri i ndërgjegjes kundër çdo padrejtësie që perceptohet si cenim i sakrificës për liri. Historia e Kosovës nuk mund të shkruhet pa gjakun e dëshmorëve, pa vuajtjet e popullit dhe pa ndërhyrjen shpëtimtare të NATO kundër regjimit të Slobodan Milošević. Ne respektojmë drejtësinë. Por drejtësia duhet ta respektojë të vërtetën historike.

Të ngjashme