Gërvalla viziton organizatën “Klubi i Dëshirave”, thotë se shëndeti mendor është domosdoshmëri publike

Prishtinë | 14 Maj 2026 | 14:36 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, vizitoi sot organizatën joqeveritare “Klubi Dëshira” në Prishtinë, ku u prit nga Drejtori Ekzekutiv i organizatës, Nusret Shillova.

Gjatë vizitës, Ministrja Gërvalla u njoftua nga afër me shërbimet dhe aktivitetet që “Klubi Dëshira” ofron për personat me aftësi të kufizuara mendore dhe dëmtime intelektuale (PAK-MDI), si dhe me sfidat dhe nevojat për fuqizimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale dhe sociale për këtë kategori të qytetarëve.

Ministrja Gërvalla theksoi se shërbimet e shëndetit mendor nuk janë luks, por një domosdoshmëri publike që duhet të mbetet prioritet institucional dhe pjesë e rëndësishme e politikave publike.

“Maji është muaji i shëndetit mendor, dhe ‘Klubi Dëshira’ është një model i punës shembullore në ofrimin e shërbimeve të shëndetit mendor në vend. E themeluar në vitin 2001, kjo organizatë ka luajtur rol të rëndësishëm në rehabilitimin, përfshirjen shoqërore dhe forcimin e jetës së pavarur për personat me aftësi të kufizuara mendore dhe dëmtime intelektuale”, tha Gërvalla.

Ajo vlerësoi veçanërisht qasjen gjithëpërfshirëse të organizatës, ku muzika dhe aktivitetet e përditshme përdoren si forma të terapisë së disponimit dhe si mjete për të nxitur komunikimin, ndërveprimin social dhe mirëqenien emocionale të përfituesve.

“Në këtë hapësirë krijohet një mjedis që shkon përtej kujdesit formal dhe që i jep rëndësi dinjitetit, përfshirjes dhe mirëqenies emocionale të secilit individ”, shtoi ajo.

Në përmbyllje të vizitës, Ministrja Gërvalla falënderoi Drejtorin Ekzekutiv, Shillova, si dhe stafin dhe anëtarët e “Klubit Dëshira” për pritjen e ngrohtë dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm në mbështetje të personave me aftësi të kufizuara.

“Kjo punë jep shpresë dhe motivon për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe shoqëror, me synim avancimin e të drejtave dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës sonë, pa dallim”, përfundoi Ministrja Gërvalla.

Të ngjashme