Kosova u rendit e dyta si më e varfër në Evropë, Bajrami: Situata është edhe më shqetësuese sesa duket

Prishtinë | 18 Maj 2026 | 11:31 | Nga Ekonomia Online

Ish deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pasi Kosova është renditur në vendin e dytë si më e varfër në Evropë.

Përmes, një postimi në profilin e saj ne rrjetin social Facebook, Bajrami ka shkruar se derisa Kurti qe gjashtë vjet e ka gojën plot propagandë për “zhvillim e lulëzim ekonomik”, vendi ynë po përballet me varfëri të thellë. Këtë nuk e thotë vetëm WorldAtlas, që u komentua shumë dje, por edhe institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN-ja.

Ajo, ka thënë se situata është edhe më shqetësuese sesa duket.

“Sipas databazës zyrtare të Bankës Botërore, varfëria ekstreme sipas pragut ndërkombëtar të Bankës Botërore prej 3 dollarë në ditë, Kosova del me 10% varfëri ekstreme, ndërsa Serbia me 1.1%, Shqipëria me 0.3%, Bosnja dhe Hercegovina me 0.3%, Mali i Zi me 2.5% dhe Maqedonia e Veriut me 3.9%. Pra, Kosova mbetet ndër vendet me varfërinë më të lartë në rajon”, ka shkruar Bajrami.

Postimi i saj i plotë:

Derisa Kurti qe gjashtë vjet e ka gojën plot propagandë për “zhvillim e lulëzim ekonomik”, vendi ynë po përballet me varfëri të thellë. Këtë nuk e thotë vetëm ËorldAtlas, që u komentua shumë dje, por edhe institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN-ja.

Situata është edhe më shqetësuese sesa duket. Sipas databazës zyrtare të Bankës Botërore, varfëria ekstreme sipas pragut ndërkombëtar të Bankës Botërore prej 3 dollarë në ditë, Kosova del me 10% varfëri ekstreme, ndërsa Serbia me 1.1%, Shqipëria me 0.3%, Bosnja dhe Hercegovina me 0.3%, Mali i Zi me 2.5% dhe Maqedonia e Veriut me 3.9%. Pra, Kosova mbetet ndër vendet me varfërinë më të lartë në rajon.

Zhvillimi ekonomik nuk matet vetëm në terma nominalë. Rritja e buxhetit nuk është domosdoshmërisht zhvillim, sidomos kur një pjesë e saj vjen nga rritja enorme e çmimeve. Në prill, norma e inflacionit ishte 7.5%, ndërsa për shumë artikuj bazikë rritja e çmimeve është edhe më e lartë. Jeta për shumë qytetarë është bërë e papërballueshme, sepse pagat e tyre, me këto çmime, kanë humbur vlerë, andaj qytetarët janë të zhytur në kredi.

Ndërkohë, vendi është futur sërish në proces zgjedhor për një arsye të vetme: sepse Kurti i do të gjitha. Fatkeqësisht, diskursi që ai ka mbjellë qe gjashtë vjet ka të bëjë vetëm me pozita, vetëm me karrige.

Sot, më shumë se kurrë, duhet të ketë ballafaqim programesh e idesh: si të dilet nga varfëria, si të zhvillohet sektori privat, si të nxitet prodhimi vendor, çka me kapacitetet energjetike dhe si t’u japim të rinjve perspektivë, që ikja nga Kosova të mos jetë zgjedhja e tyre e vetme.

Më 7 qershor duhet të votojmë me bindje. Duhet të dalim nga rrethi vicioz i propagandës dhe autokracisë.

Të ngjashme