Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit mes Agjencive të Metrologjisë së Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Kjo marrëveshje u nënshkrua në Ditën Botërore të Metrologjisë.
Përmes, një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, Kusari-Lila, ka thënë se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi modern dhe të besueshëm metrologjik, të harmonizuar me standardet dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Postimi i saj i plotë:
Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes Agjencive të Metrologjisë së Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut
Në Ditën Botërore të Metrologjisë, shënuam një moment të rëndësishëm për avancimin e sektorit të metrologjisë në Kosovë dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal, përmes nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi modern dhe të besueshëm metrologjik, të harmonizuar me standardet dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian. Vetëm gjatë tre muajve të fundit kemi arritur të inkorporojmë direktivat evropiane që lidhen me metrologjinë, përmes plotësim-ndryshimit të Ligjit për Metrologjinë dhe rregullores për mjetet matëse ligjërisht të kontrolluara.
Për vitin aktual kemi planifikuar investime në vlerë prej 600 mijë euro në laboratorë modernë, pajisje të avancuara dhe etalonë shtetërorë, investime këto të domosdoshme për të mbështetur industrinë, eksportin dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Një nga investimet prioritare është pajisja me sisteme për verifikimin e radarëve inteligjentë dhe mobilë, me rëndësi të veçantë për sigurinë në trafik dhe forcimin e kontrollit metrologjik.
Po ashtu, AMK-ja ka filluar procesin e digjitalizimit të shërbimeve, duke synuar aplikimin online për verifikim dhe kalibrim, shpërndarjen elektronike të certifikatave dhe raporteve, si dhe krijimin e platformave moderne të shërbimeve metrologjike.