Gërvalla: Efikasiteti i gjykatave përcakton besimin e qytetarëve në drejtësi

Prishtinë | 18 Maj 2026 | 16:48 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vizituar Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku u takua me kryetarin e kësaj gjykate, Mustafë Tahiri, për të diskutuar mbi funksionimin e sistemit gjyqësor dhe sfidat në administrimin e drejtësisë në nivel lokal.

Gjatë takimit, Gërvalla theksoi se funksionimi i gjykatave dhe ecuria e trajtimit të lëndëve mbeten treguesit më realë të gjendjes së sistemit gjyqësor, duke shtuar se besueshmëria e qytetarëve ndërtohet përmes efikasitetit në trajtimin e rasteve dhe menaxhimit të ngarkesës së lëndëve.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe funksionalizimi i Gjykatës Administrative, për të cilën u vlerësua se, vetëm dy javë pas nisjes së punës, ka filluar të ndikojë në lehtësimin e ngarkesës së gjykatave dhe në rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë.

Sipas ministres në detyrë, reforma në drejtësi mbetet një proces i vazhdueshëm, me synim përmirësimin e funksionimit të institucioneve dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.

Ajo nënvizoi se pavarësia e gjyqësorit dhe përgjegjësia në ushtrimin e detyrës duhet të ecin paralelisht, si parakushte kyçe për rritjen e besimit të qytetarëve në drejtësi.

Të ngjashme