Kush është Rolando Maran, selektori i ri i Kombëtares së Shqipërisë?

Prishtinë | 19 Maj 2026 | 10:46 | Nga Ekonomia Online

Rolando Maran tanimë edhe zyrtarisht është emëruar selektor i Kombëtares së Shqipërisë.

Federata Shqiptare e Futbollit pas largimit të Sylvinhos e ka emëruar italianin në stolin e kuqezinjve, duke bërë një lëvizje të shpejtë dhe duke mos e lënë Kombëtaren pa një selektor të kalibrit të madh, transmeton Klankosova.tv.

Mirëpo kush është Rolando Maran?

Rolando Maran është një nga trajnerët më të njohur dhe më të respektuar të futbollit italian, me një karrierë të gjatë si futbollist dhe trajner në elitën e futbollit në Itali.

I lindur më 10 gusht 1963 në Trento, Maran është konsideruar gjithmonë si një figurë e disiplinuar dhe një punëtor i palodhur i futbollit italian.

Karriera e tij nisi si futbollist, ku luante në repartin defensiv dhe njihej për karakterin e fortë, shpirtin luftarak dhe aftësitë udhëheqëse në fushë. Periudha më e rëndësishme e karrierës së tij si lojtar lidhet me Chievo Verona, klub ku luajti nga viti 1986 deri më 1995.

Gjatë asaj kohe, Maran zhvilloi rreth 300 ndeshje me fanellën e Chievos dhe ishte një nga figurat kryesore të skuadrës, transmeton Klankosova.tv.

Ai mbajti edhe shiritin e kapitenit dhe u bë simbol i periudhës historike të klubit, kur Chievo arriti të ngjitej nga Serie C2 deri në Serie B. Pikërisht ajo periudhë u konsiderua më vonë si fillimi i “mrekullisë së Chievo-s”, histori që mbeti gjatë në futbollin italian.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Maran kaloi menjëherë në rolin e trajnerit.

Fillimisht ai punoi si ndihmës trajner te Chievo dhe më pas te Brescia, ndërsa gradualisht nisi të ndërtojë profilin e tij si një trajner i disiplinës taktike dhe organizimit defensiv.

Me kalimin e viteve, italiani arriti të drejtojë mbi 250 ndeshje në Serie A, duke u bërë një nga trajnerët më me eksperiencë në elitën e futbollit italian.

Një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij erdhi gjatë sezonit 2012/2013 me Catania. Nën drejtimin e Maranit, skuadra siciliane realizoi sezonin më të mirë në historinë e saj në Serie A, duke e mbyllur kampionatin në vendin e tetë me 56 pikë, transmeton Klankosova.tv.

Ky mbetet ende rekordi më i mirë i Catanias në elitën italiane.

Suksesi me Catanian e rriti edhe më shumë reputacionin e trajnerit italian, i cili më pas u rikthye te Chievo Verona në vitin 2014.

Në katër sezonet qëndroi në krye të skuadrës dhe arriti ta mbajë ekipin larg zonës së rënies nga kategoria, pavarësisht buxhetit të kufizuar të klubit.

Gjatë asaj periudhe, Chievo u konsiderua një skuadër shumë e vështirë për kundërshtarët e mëdhenj, kryesisht për shkak të organizimit defensiv dhe disiplinës taktike që Maran kishte instaluar në ekip.

Në vitin 2018, ai mori drejtimin e Cagliari, ku nisi një projekt ambicioz me skuadrën nga Sardenja. Në sezonin 2019/20, Cagliari ishte një nga surprizat e kampionatit italian gjatë pjesës së parë të sezonit dhe për një periudhë qëndroi edhe në zonën që siguronte kualifikimin në kompeticionet evropiane.

Megjithatë, rënia e rezultateve në pjesën e dytë të sezonit çoi në ndërprerjen e bashkëpunimit mes klubit dhe trajnerit italian.

Përveç këtyre eksperiencave, Maran ka drejtuar edhe skuadra të tjera të njohura italiane si Genoa, Pisa dhe Brescia.

Në Itali ai konsiderohet si një trajner me aftësi të mëdha në menaxhimin e grupeve, stabilitetin e skuadrës dhe organizimin taktik, sidomos në situata të vështira apo momente krize.

Të ngjashme