Alpinistja kosovare Uta Ibrahimi, ka ndarë emocionet e ngjitjes së saj të dytë në malin më të lartë në botë, Mount Everest, duke e cilësuar këtë përvojë krejtësisht ndryshe nga hera e parë.
Ajo tregoi se kësaj here nuk ishte vetëm si alpiniste, por edhe në rolin e guides dhe udhëheqëses në mal, duke mbajtur përgjegjësi për jetën dhe sigurinë e njerëzve të tjerë.
“Ajo që e bani këtë maje edhe ma të veçantë ishte fakti që e ngjita në ditëlindjen e bibit tem”, shkroi ajo, duke e lidhur suksesin me figurën e babait, për të cilin tha se e ka rritur të fortë, të guximshme dhe këmbëngulëse”, tregoi ajo në postimin emocional të bërë në rrjetet sociale transmeton Klankosova.tv.
Sipas saj, të qenit grua në alpinizëm, sidomos në rolin e guides, kërkon guxim, forcë dhe aftësi për të marrë vendime të vështira, duke fituar respektin e ekipit në kushte ekstreme.
Në fund të rrëfimit, Ibrahimi tha se mbi 8000 metra lartësi, mes erës dhe heshtjes së Everestit, e kishte ndjerë praninë e babait të saj “nga qielli”, duke e bërë këtë ngjitje edhe më personale dhe emocionale.