Platforma për verifikimin e fakteve Hibrid.info ka ngritur shqetësimin se përdorimi i inteligjencës artificiale dhe videove të manipuluara para fushatës zgjedhore në Kosovë paraqet rrezik për keqinformimin e qytetarëve dhe minimin e besimit ndaj mediave kredibile, raporton Ekonomia Online.
Hulumtuesi dhe verifikuesi i fakteve në Hibrid.info, Etrit Rexhepi, në një intervistë për Ekonomia Online ka deklaruar se para fillimit të fushatës zgjedhore janë publikuar video të manipuluara të paraqitura si Vox Pop-a autentikë, duke imituar edhe mediat e ndryshme në vend me qëllim ndikimin në opinionin publik dhe procesin zgjedhor.
“Po në forma qysh janë duke u publikuar në vendin tonë, para fillimit të fushatës zgjedhore, kryesisht kemi parë video që publikohen si Vox Pop-a, që janë paraqitur si video autentike duke imituar prononcimet e mediave të ndryshme. Normalisht ato bëhen me qëllimin e caktuar që me ndiku në perceptimin e opinionit publik, për subjektet politike që garojnë në zgjedhje. Rreziku gjithmonë ekziston për shkak se ato munden me pasë ndikim në keqinformimin e qytetarëve, po në të njëjtën kohë munden edhe me minu besimin e qytetarëve ndaj mediave kredibile, duke parë se po përdoren shpesh edhe logot e mediave kredibile në Kosovë që me i paraqit videot sa më autentike, sa më reale”, tha ai.
Rexhepi tha se publikimi i përmbajtjeve të tilla synon ndikimin në rezultatet zgjedhore, ndonëse sipas tij, ndikimi real duhet të matet pas procesit zgjedhor.
“Publikimi i tyre bëhet me atë qëllim, pra që të ndikohet në rezultatin e zgjedhjeve, po pastaj sa ndikojnë është çështje tjetër që duhet me, ish dashtë me ekzistu matje pas zgjedhjeve me pa nëse kanë arrit me ndiku në rezultatin e zgjedhjeve apo besimin e qytetarëve ndaj subjekteve të caktuara politike”, tha ai.
Sipas tij, videot e krijuara me deepfake dhe inteligjencë artificiale paraqesin rrezik për proceset demokratike dhe po shtohen sidomos gjatë periudhës zgjedhore.
“Po e thashë edhe më herët, janë të rrezikshme. Munden me minu besimin ndaj mediave. Munden me pasë qëllim për me ndiku në procese të ndryshme demokratike në vend, jo vetëm zgjedhjet, po ne po shohim që gjatë zgjedhjeve po shtohet numri i përmbajtjeve të tilla që publikohen”, tha ai.
Ai shtoi se një pjesë e madhe e qytetarëve ende nuk arrijnë të dallojnë përmbajtjet autentike nga ato të gjeneruara me inteligjencë artificiale.
“Duke i parë qysh i shohim reagimet e tyre me anë të komenteve, me anë të reagimeve të ndryshme në rrjetet sociale, kemi parë që një pjesë e madhe, numri i qytetarëve veç bie pre. Se për shembull po të kishin qenë të vetëdijshëm mjaftueshëm, ndoshta nuk kishte pasë nevojë që këtë me trajtu prej organizatës sonë. Po varësisht prej asaj se sa ka impakt një video, një përmbajtje e tillë, ne gjithmonë e shohim të arsyeshme që me u marrë me trajtu. Qytetarët domethënë ende nuk po arrijnë, një pjesë e madhe e qytetarëve nuk po arrijnë ende me identifikuar një përmbajtje autentike prej asaj që është e gjeneruar me deepfake ose inteligjencë artificiale”, tha ai.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 7 qershor.
