Haradinaj në Kuvendin e AAK-së: Besojmë tek Ardian Gjini, Aleanca vazhdon rrugëtimin

Prishtinë | 24 Maj 2026 | 12:23 | Nga Ekonomia Online

Në Kuvendin e 10-të Zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku pritet të formalizohet zgjedhja e Ardian Gjini në krye të partisë, kryetari aktual Ramush Haradinaj ka mbajtur një fjalim para delegatëve, duke komentuar edhe rrugëtimin e tij politik dhe duke konfirmuar vazhdimësinë e angazhimit të tij për Kosovën dhe Aleancën, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj e ka hapur fjalimin duke kujtuar historinë e tij personale dhe angazhimin në luftën çlirimtare.

“Që nga mosha e re si fëmijë e deri në 31 vjeç, shërbimin ndaj atdheut e kam bërë si shërbim për çlirim. Kam pasur nderin të jem ushtar dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK. Faleminderit, po jetë UÇK, faleminderit bashkëluftëtarë, faleminderit për sakrificën që e kemi bërë për liri,” tha ai.

Duke folur për periudhën pas luftës dhe rolin e tij në politikë, Haradinaj përmendi edhe drejtimin e Aleancës dhe funksionet shtetërore që ka mbajtur.

“Prej vitit 2000, nga mosha ime 32 vjeç, kam shërbyer Kosovën dhe kombin si kryetar i Aleancës. Kam pasur nderin të zgjedhem deputet në çdo legjislaturë dhe të zgjedhem kryeministër dy herë, me mbështetjen tuaj. Faleminderit Aleancë për rrugëtimin bashkë,” u shpreh ai.

Haradinaj theksoi se nuk do të tërhiqet nga angazhimi politik, por se do të vazhdojë të kontribuojë në forma të tjera.

“Nga sot do të vazhdoj t’i shërbej Kosovës dhe kombit si njëri nga ju. Shërbimi për Kosovën nuk përfundon kurrë. Për jetë Aleancë, për jetë UÇK, për jetë shqiptarët ndër breza,” deklaroi ai.

Ai i ka dhënë mbështetje të drejtpërdrejtë pasardhësit të tij në krye të partisë.

“Sot kryetar Ardian, unë dhe Aleanca besojmë tek ti. Besojmë që të jesh prijësi ynë, prijësi i Kosovës, prijësi i listës tonë më të mirë. Ashtu siç e kam besuar veten në rrugëtimin tim, ashtu i besoj Ardianit dhe Aleancës. Për jetë ty Ardian, për jetë Aleancës,” tha Haradinaj.

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve dhe diasporës për mbështetje në proceset politike.

“Qytetarë të Kosovës, vëllezër e motra në diasporë, ju jeni gjaku ynë dhe kurrë nuk ndaheni prej nesh. Shërbeni Kosovës, shërbeni me votë për dy të tretat për listën e Aleancës. Unë i shërbeva Kosovës me mos kandidimin tim, por ju ftoj ju të vazhdoni këtë rrugë,” u shpreh Haradinaj.

Të ngjashme