Gjini para marrjes së drejtimit të AAK-së: Aleanca nuk nis nga zero, por nga një bazë e fortë e ndërtuar ndër vite

Prishtinë | 24 Maj 2026 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini ka folur para delegatëve në Kuvendin Zgjedhor të AAK-së, para se të marrë drejtimin e partisë, raporton Ekonomia Online.

Ai ka theksuar se AAK nuk po nis nga fillimi, por nga një bazë e ndërtuar ndër vite me besim dhe bashkëpunim.

“Vëllezër e motra, unë besoj fort se gjithçka për të cilën po flasim sot është e arritshme. Nuk jemi duke u nisur prej tokës, por prej një ndërtese të jashtëzakonshme që e kemi ndërtuar së bashku me ju, kryetar. Po nisemi prej besimit që e kemi për Kosovën, prej bindjeve që i kemi ndërtuar me qindra e mijëra njerëz në Kosovë. Nuk jemi duke u nisur prej zeros dhe kjo na jep forcë: ne mundemi, Aleanca mundet, Kosova mundet. Kosova ka njerëz, Aleanca ka njerëz”, tha ai.

Gjini shtoi se slogani i partisë përfaqëson orientimin e saj politik dhe vizionin për të ardhmen.

“Energjia, siguria dhe zhvillimi është slogani ynë, me një konotacion perëndimor. Por mos harroni, shtyllat që na bëjnë të ndihemi mirë pse e duam Amerikën dhe Evropën janë të rëndësishme për Kosovën dhe duhet të forcohen më shumë”, u shpreh ai.

Të ngjashme