Rrustem Thaqi zgjidhet kryesues i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Prishtinë | 25 Maj 2026 | 10:55 | Nga Ekonomia Online

Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 6 vota për, ka zgjedhur kryesues të KGJK-së, Rrustem Thaqin, raporton Ekonomia Online.

Mandati i tij do të jetë tre vjeçar dhe do të filloj nga sot.

Kundërkandidati i tij, Besnik Bislimaj i mori pesë vota.

Në votim morën pjesë 11 anëtarë.

Në mbledhjen e sotme të KGJK-së u bë edhe pranim-dorëzimi i detyrës së kryesuesit, Rrustem Thaqi, detyrë të cilën ia dorëzoi zëvendëskryesuesja e Këshillit Gjyqësor, Arjeta Sadiku.

“Rrustem Thaqi gjyqtar në Gjykatën Supreme zgjidhet kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Mandati i Thaqit si kryeses i Këshillit Gjyqësor është tre vjeçar dhe do të filloj nga data 25 maj. Detyra e Thaqit si gjyqtar i Gjykatës Supreme pezullohet përgjatë ushtrimit të mandatit si kryesues i KGJK-së“, tha ajo.

Sikurse në konkursin e kaluar, në garë ishin dy kandidatët e njëjtë Besnik Bislimaj- gjyqtar nga Gjykata e Apelit dhe Rrustem Thaqi, gjyqtar nga Gjykata Supreme.

Ndryshe, dy kandidatët nuk mbajtën fjalim para votimit, pasi kishin paraqitur vizionet e tyre në procesin e kaluar.

Fillimisht, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 12 mars shpalli konkurs për kryesues të ri, i cili ishte i hapur deri më 26 mars 2026. Por, më 30 prill dështoi zgjedhja e kryesuesit pasi dy kandidatët morën nga pesë vota, kështu u rishpall konkursi.

Mandatin e kryesuesit i fundit e ka mbajtur gjykatësi nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, Albert Zogaj.

Të ngjashme