DNV publikon rezultatet preliminare: LVV 42.7 %, PDK 21.5 %, LDK 17.7 %, AAK 7.1 %

Prishtinë | 07 Qer 2026 | 20:50 | Nga Ekonomia Online

Organizata Demokracia në Veprim ka publikuar rezultatet preliminare për zgjedhjet e 7 qershorit, raporton Ekonomia Online.

Sipas DnV-së, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 42.7 për qind të votave, me marzh gabimi prej 1.7 për qind.

PDK-ja e dyta me 21.5 për qind, me marzh gabimi 1.6 për qind.

LDK-ja e treta ka 17.7 për qind, me marzh gabimi 1.1 për qind.

E AAK-ja ka 7.1 për qind, me marzh gabimi 1.1 për qind.

Këto rezultate nuk përfshijnë votat me kusht dhe ato të diasporës.

Sipas DnV-sw, përkundër daljes dukshëm më të ulët, procesi i votimit ka rrjedhur në atmosferë të qetë ndërsa votuesit patën mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë të lirë dhe të barabartë.

DnV i përgëzon të gjithë qytetarët që ushtruan të drejtën e tyre të votës dhe kontribuan në mbarëvajtjen e një procesi zgjedhor demokratik, të qetë dhe përgjithësisht të rregullt. Po ashtu, vlerësohet angazhimi i KQZ-së për administrimin e procesit zgjedhor, pavarësisht afateve të shkurtra për organizim.

Sipas DnV-së dalja e përgjithshme e votuesve deri në mbyllje të vendvotimeve ishte 37%.

Në këtë përqindje nuk është përfshirë dalja e votuesve që kanë votuar me kusht dhe atyre që kanë votuar nga jashtë vendit.

Rikujtojmë se dalja e votuesve në zgjedhjet e parlamentare të 28 Dhjetorit 2025 sipas DnV-së ishte 45%, 8% më e lartë se në këto zgjedhje.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit në intervalin e njejtë kohor ishte 44.1%, ndërsa dalja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2021 ishte 48,78%.

“Ashtu siç edhe është raportuar në intervalet tjera gjatë ditës, problematika kyçe që e ka karakterizuar procesin e votimit lidhet me vështirësitë e votuesve për të gjetur vendvotimin e saktë, përkundër që atyre u ishte ofruar mundësia nga KQZ, që përmes linkut ose përmes shkuarjes në KQZ t’a konfirmojnë Qendrën e tyre të votimit dy muaj para zgjedhjeve”.

Të ngjashme