Specialja bojkoton takimin në Hagë për raportin britanik

Prishtinë | 11 Qer 2026 | 12:38 | Nga Ekonomia Online

Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC) i cili javë me parë ka publikuar një raport të iniciuar me kërkesë të Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës është duke i prezantuar sot në Hagë gjetjet e tyre për funksionimin e Dhomave të Specializuara para Korit Diplomatik.

Ngjarja po fasilitohet nga Ambasada e Kosovës në Hagë dhe është hapur nga Ambasadori i Kosovës Dren Doli.

Por, pavarësisht pranisë së diplomatëve, dhe aktoreve të ndryshëm në këtë ngjarje vetë Gjykata Speciale e cila ndodhet në Hagë ku po mbahet ngjarja nuk e ka dërguar dikë aty, Kjo është bërë e ditur nga Avokati i Popullit të Kosovës Naim Qelaj i cili ka thënë se ata janë ftuar.

 “Do të doja që Dhomat e Specializuara të ishin këtu dhe nuk e di pse s’kanë ardhur” u ka thënë të pranishmëve Qelaj.

Ai ka theksuar se raporti është i pavarur dhe në asnjë mënyrë i influencuar  Avokati i Popullit.

Qelaj në prill të këtij viti kishte mbajtur një konferencë për media ku kishte numëruar gjetjet e britanikëve sa i përket procesit gjyqsor në Hagës. Ai kishte listuar një varg shqetësimesh të identifikuara nga raporti i britanikëve.

Si gjetje të parë, Qelaj kishte përmendur kufizimin e të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, ku përfshihet mungesa e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimi i komunikimeve familjare dhe profesionale.

“Sa i përket paraburgimit dhe kufizimit të të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, raporti evidenton shqetësime serioze për zgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimin e komunikimeve familjare dhe profesionale me mbrojtjen”, kishte thënë ai.

Gjithashtu raporti kishte ngritur si shqetësim mbikëqyrjen sistematike të komunikimeve. Qelaj tregon se edhe gjatë vizitës që vetë kishte zhvilluar, kishte qenë subjekt i incizimit gjatë gjithë kohës nga kamerat e vendosura.

“Raporti tregon se mbikëqyrja sistematike e komunikimeve me të cilat jam ballafaquar edhe unë, sepse në vizitën e vitit 2025 jam vëzhguar nga dy kamera që kanë incicuzar gjatë gjithë kohës, pra raporti konstaton se kjo përbën ndërhyrje në nenin 8”, kishte shtuar Qelaj.

Qelaj thoshte se Raporti ngrit shqetësime serioze edhe për mungesën e mekanizmave efektiv të mbikëqyrjes demokratike dhe kontrollit institucional.

Raporti, siç tregonte Qelaj, ka përmendur si shqetësim edhe diskrecionin e konsiderueshëm që ka kryetarja e Gjykatës Speciale për të emëruar panele, gjë që mund të ndikojë në perceptimin e paanshmërisë.

“Sa i përket standardit për gjykim të drejtë, raporti konstaton se kryetarja e Speciales ka diskrecion të konsiderueshëm për të formuar panele, gjë që mund të ndikojë në perceptim për paanshmërinë. Më tej raporti evidenton shqetësime për konsultimet ndër-institucionale të paraparë me rregulloret dhe mungesën e gjyqtarëve nga Kosova”, ka thënë ai tutje.

Qelaj kishte përmendur edhe disa deklarime problematike që janë bërë nga ish-kryeprokurori Jack Smith lidhur me burgimin e përjetshëm dhe deklarimet nga kryetarja e Gjykatës se nëse ish-krerët e UÇK’së lirohen ata përbëjnë rrezik. Këto deklarime përbejnë shqetësime serioze për prezumimin e pafajësisë, integritetin e procesit dhe për lirimin e parakohshëm.

“Konstatimi nga kryetarja e Gjykatës se nëse lirohen këta persona paraqesin rrezik dhe duhet të mbahen në paraburgim ngre shqetësime serioze jo vetëm për prezumimin e pafajësisë por edhe për integritetin e procesit dhe lirimin e parakohshëm”, kishte thënë Qelaj.

Ai kishte treguar se deklarimet e Smith dhe kryetare së Speciales janë bërë në një takim të tyre me disa diplomatë, e ku s’ka qenë e ftuar fare mbrojtja.

Qelaj kishte përmendur edhe temën e pranimit të provave nga Serbia, duke thënë se raporti ka konstatuar mungesë të transparencës serioze nga ana e Hagës.

“Lidhur me pranueshmërinë e provave nga Serbia, raporti konstaton mungesë transparence serioze, pasi kërkesat e mbrojtjes për zbulim, qasje për origjinën e materialeve mbeten pa vendim publik. Mungesa e çfarëdo vendimi publik përbën shqetësim për transparencën”, ka thënë ai duke cituar raportin.

Qelaj kishte shtuar se në raport, rekomandohet krijimi i një mekanizmi të pavarur të monitorimit të procesve gjyqësore./Express/

Të ngjashme