Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së – OVL, SHIL dhe SHFD – kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë për familjet Ramadani dhe Kiqina në kërkesën për drejtësi lidhur me një rast që, sipas tyre, ka mbetur i pazgjidhur për më shumë se dy dekada.
Në reagimin e tyre, këto organizata theksojnë se Burim Ramadani, Arsim Ramadani dhe Arben Kiqina janë luftëtarë të dalluar të UÇK-së, të cilët për vite me radhë kanë bartur një padrejtësi të rëndë, ndërsa provat që mund të ndihmonin në zbardhjen e rastit, sipas tyre, ishin fshehur.
OVL, SHIL dhe SHFD vlerësojnë se institucionet e Kosovës, të ndërtuara mbi sakrificën e luftëtarëve të lirisë, kanë obligim t’u japin përgjigje familjeve të prekura dhe të sigurojnë një shqyrtim objektiv të të gjitha fakteve që lidhen me rastin.
“Jo më heshtje e zvarritje, por shqyrtim objektiv të çdo fakti që lidhet me rastin”, thuhet në reagim.
Këto organizata paralajmërojnë se do të vazhdojnë të ngrenë zërin, si në publik ashtu edhe brenda institucioneve, derisa e vërteta të dalë në shesh. Sipas tyre, vendosja e drejtësisë për familjet Ramadani dhe Kiqina përbën një detyrim moral e institucional dhe njëkohësisht nderon shtetin dhe vlerat e krijuara me mund e sakrificë gjatë luftës për liri.