Ekstradohet nga Gjermania në Kosovë i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar

Prishtinë | 11 Qer 2026 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Një shtetas i Kosovës, i kërkuar nga autoritetet e drejtësisë për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Grabitje”, është ekstraduar sot nga Gjermania në Kosovë.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ekstradimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim me njësitë relevante policore dhe institucionet e drejtësisë.

“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, sot më datën 11.06.2026 ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar R.R.M. nga Gjermania për në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Policia bën të ditur se i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet gjermane, pasi kërkohej nga INTERPOL-i me letërreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.

“I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet gjermane pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letërreshtim ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale ‘Vrasje në tentativë dhe Grabitje’ dhe se i njëjti i ishte shmangur drejtësisë”, thuhet më tej.

Sipas Policisë, ekstradimi është realizuar në bazë të legjislacionit në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Gjermanisë.

Pas mbërritjes në Kosovë, i ekstraduari u është dorëzuar njësive kompetente policore në rajonin e Mitrovicës së Jugut për procedura të mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës theksoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare në luftimin e kriminalitetit.

“Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe në gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme