Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pritet të ketë një rol të veçantë në ceremoninë përmbyllëse të Kupës së Botës 2026, pasi FIFA synon t’i japë mundësinë që t’ua dorëzojë personalisht trofeun kampionëve të rinj të botës.
Sipas raportimeve të “talkSPORT”, Trump në kohën e zhvillimit të turneut do të lejohet jo vetëm të ndajë trofeun për skuadrën fituese, por edhe të qëndrojë në podium gjatë festimeve të ekipit kampion, një veprim që do të përbënte shmangie nga protokolli tradicional i FIFA-s.
Sipas organizatorëve presidenti amerikan është informuar tashmë për planin e FIFA-s, ndërsa në ceremoninë finale do të ftohen të marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë nga Kanadaja dhe Meksika, dy vendet bashkëorganizatore të Kupës së Botës së bashku me SHBA-në.
Kjo nuk do të ishte hera e parë që Trump tërheq vëmendjen në një ngjarje të organizuar nga FIFA.
Gjatë finales së Kupës së Botës për Klube, ai u pa pranë kapitenit të Chelseat, Reece James, në momentin kur londinezët ngritën trofeun.
Në atë rast, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, fillimisht tentoi ta largonte Trumpin nga podiumi, por më pas e inkurajoi të qëndronte së bashku me lojtarët gjatë ceremonisë së ngritjes së trofeut.
Sipas rregullave aktuale të FIFA-s, trofeu zakonisht vendoset në një piedestal dhe më pas merret nga një anëtar i ekipit fitues, i cili e ngre atë para tifozëve dhe bashkëlojtarëve.
Megjithatë, sipas organizatorët thonë se kësaj radhe Trump do të ketë lirinë të zgjedhë vetë nëse dëshiron të qëndrojë pranë skuadrës fituese gjatë festimeve apo të bashkohet me zyrtarët e tjerë në skenë.