Policia në Poloni ka nisur një hetim për vrasjen e një artisti rus dhe kritiku të njohur të Presidentit rus Vladimir Putin, në një rast që po trajtohet si ekzekutim.
Sipas prokurorëve polakë, Robert K., i njohur në publik me pseudonimin artistik Semyon Skrepetsky, është qëlluar për vdekje të hënën në mëngjes në qytetin Biala Podlaska, që ndodhet rreth 40 kilometra larg kufirit me Bjellorusinë, raporton BBC.
44-vjeçari u qëllua pesë herë në kokë, gjoks dhe shpinë, në një parking makinash në qytet, i cili ndodhet afërsisht 600 metra nga konsullata bjelloruse.
Semyon Skrepetsky ishte pseudonimi i përdorur nga Robert Kuzovkov, i njohur për karikaturat e tij politike ku satirizonte figura të ndryshme, përfshirë Presidentin rus Vladimir Putin, liderin bjellorus Aleksander Lukashenko dhe kreun çeçen Ramzan Kadyrov.
Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Qarkut në Lublin, Marcin Kozak, deklaroi se artistit iu afrua një person i armatosur i paidentifikuar, i cili hapi zjarr ndaj tij.
“Personi i armatosur qëlloi dy herë drejt viktimës. Kur ai ra në tokë, sulmuesi iu afrua dhe qëlloi edhe tre herë të tjera, përpara se të largohej me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Robert K. vdiq në vend,” tha Kozak.
Policia polake ka arrestuar dy shtetas bjellorusë, të moshës 33 dhe 37 vjeç, të cilët ndodheshin pranë konsullatës bjelloruse në qytet, por nuk dihet saktë se a kanë qenë këta dorasësit apo jo roli i tyre në ngjarje ende nuk është përcaktuar.
Ndërkohë, në rrjetet sociale është publikuar edhe një video e tij gjatë një proteste për Ditën e Rusisë në Berlin më 12 qershor, ku shihet duke mbajtur një pikturë që karikaturonte Putinin dhe Jozef Stalinin, si dhe një flamur rus të lidhur në pantallona që i zvarritej në tokë gjatë protestës.