Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ashpërsuar gjuhën ndaj zyrtares së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, duke paralajmëruar padi për shpifje dhe duke akuzuar partinë në pushtet për tendenca autokratike.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka deklaruar se është duke përgatitur një padi ndaj Mihalit për deklaratat e saj.
“Për gjuhën e saj që e shpërfaq nivelin e saj jam duke përgatitur padi. Padi për shpifje. Është mësu ajo me u fsheh pas brigadave të Facebook-ut dhe mijëra profileve false, duke përçarë shqiptarët, duke i ofendu nënat tona, gratë, fëmijët, luftën, kontributin, atdheun dhe gjithçka që është e shenjtë. Tash ka me u përballë me Prokurorinë, atë institucion që ende nuk keni arritë me e kapë”, ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se nuk do të ndalet nga, siç i ka quajtur, kërcënimet dhe shantazhet politike.
“Ju rikujtoj se nëse mendoni se me kërcënime e shantazhe keni me m’ndalë, harrojeni. Unë jam këtu dhe çdo ditë kam me tregu pse ju jeni e keqja ma e madhe që i ka ndodh këtij vendi. Unë jam këtu, ku i kam varret e të parëve të mi dhe ku rriten fëmijët e mi”, ka deklaruar ai.
Rama ka ngritur gjithashtu akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke pretenduar se ajo ka punuar ndër vite kundër vlerave të luftës çlirimtare.
“Vetëvendosje, prej vitesh dhe në mënyrë të orkestruar, ka punuar për ta zhvlerësuar çdo vlerë të luftës çlirimtare, çdo hero dhe çdo familje dëshmori. Çdo njeri që ka dhënë për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës është sulmuar në mënyrën më të ulët. Janë fyer nënat e dëshmorëve, janë fyer heronjtë dhe qytetarët”, ka thënë ai.
Sipas Ramës, Kosova po përballet me rrezikun e normalizimit të një mentaliteti që synon heshtjen e zërave kritikë.
“Të dashur qytetarë, po hyjmë në fazën më të rrezikshme si shoqëri: normalizimin e një mentaliteti totalitar, ku çdo zë kritik duhet të heshtet, të diskreditohet dhe, në fund, të burgoset”, është shprehur ai.
Kryetari i Prishtinës ka folur edhe për gjendjen në sistemin e drejtësisë dhe raportin e pushtetit me mediat.
“Gjyqësori i lirë është pengesa e fundit mes qytetarit dhe pushtetit absolut, prandaj është institucioni që me ngulm po tentojnë ta nënshtrojnë. Me një strategji të orkestruar mirë, i janë vërsulur edhe medieve. Synimi është i qartë. Të heshtet çdo zë kritik, derisa në fund të mbetet vetëm një e ‘vërtetë’, ajo që e thotë Albin Kurti”, ka deklaruar Rama.
Ai ka paralajmëruar për, sipas tij, rrezikun e rrëshqitjes së vendit drejt autokracisë.
“Është koha e fundit që secili ta kuptojë se po ecim drejt AUTOKRACISË. Dhe kjo nuk duhet t’i ndodh këtij shteti”, ka përfunduar Rama.