Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas deklaratës së ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, lidhur me deklaratën e palës amerikane për projektin e gazit.
Hoti ka kritikuar Haxhiun duke thënë se është e papranueshme që një çështje e tillë të mos trajtohet me seriozitet nga institucionet.
“Si mund të deklarohet U.D. e Presidentes se nuk e ka parë deklaratën e palës amerikane lidhur me projektin e gazit?”, ka shkruar Hoti.
Ai ka thënë se rëndësia e kësaj çështjeje do të shihet përmes reagimit qytetar, duke paralajmëruar protesta.
“Kur të mbushen sheshet me protestues e shihni sa serioze është çështja. Dhe sheshet do të mbushen së shpejti”, është shprehur Hoti.
Sipas tij, institucionet në të kaluarën kanë pasur qasje të gabuar ndaj paralajmërimeve të partnerëve ndërkombëtarë.
“Për vite me radhë, kur paralajmërimet kanë ardhur nga miqtë tanë ndërkombëtarë, kemi parë një qasje për t’i minimizuar, për t’i sulmuar ose për t’i shpërfillur”, ka deklaruar ai.
Hoti ka shtuar se mënyra se si trajtohen çështjet strategjike tregon prioritetet e një qeverisjeje.
“Serioziteti ndaj një çështje jetike për të ardhmen e vendit tregon se çfarë prioritetesh ka kjo qeverisje. E papranueshme”, ka shkruar Hoti.