Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Alban Zogaj, ka reaguar pas kritikave dhe debateve të fundit brenda partisë lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit, duke bërë thirrje për maturi dhe respektim të proceseve të brendshme partiake.
Përmes një postimi, Zogaj tha se analizat dhe reflektimi pas çdo procesi zgjedhor janë të nevojshme, por kritikoi deklaratat që, sipas tij, po bëhen me nguti, duke rikujtuar se vetëm tre muaj më parë LDK-ja mbajti Kuvendin e Jashtëzakonshëm ku u konfirmua drejtimi i partisë.
“Pas çdo procesi zgjedhor është normale të ketë analiza, reflektim dhe mendime të ndryshme. Kjo është e shëndetshme dhe i bën mirë çdo partie demokratike. Por, ajo që nuk po kuptoj aktualisht është ngutia e disave me deklarata të kota, kur vetëm tre muaj më parë LDK mbajti Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku u votua qartë për drejtimin e partisë”, ka shkruar Zogaj.
Ai ka theksuar se zgjedhjet e rregullta të brendshme do të mbahen vitin e ardhshëm dhe se secili anëtar ka mundësi të kandidojë dhe të kërkojë mbështetjen e anëtarësisë.
“Për më tepër, vitin e ardhshëm i kemi zgjedhjet e rregullta të brendshme, ku secili që ka ambicie, ide apo vizion tjetër, e ka derën e hapur të kandidojë dhe ta kërkojë besimin e anëtarësisë. Kjo është demokracia që e kemi ndërtuar ndër vite”, ka deklaruar ai.
Zogaj ka nënvizuar se LDK-ja duhet të funksionojë mbi bazën e rregullave dhe statutit të saj, e jo sipas emocioneve të momentit.
“LDK nuk ndërtohet me emocione të ditës. LDK është institucion politik me traditë, me statut dhe me rregulla që duhet t’i respektojmë të gjithë”, ka thënë ai.
Duke iu referuar rezultatit zgjedhor, Zogaj vlerësoi se partia ka shënuar rritje dhe vazhdon të jetë një alternativë serioze politike në vend.
“Nga këto zgjedhje kemi fakte që nuk mund t’i injorojmë. LDK është rritur dhe po dëshmon se mbetet alternativa kryesore për stabilitet dhe zhvillimin e vendit. Prandaj, besoj se sot na duhet më pak zhurmë dhe më shumë maturi. Më pak etiketime dhe më shumë punë. Më pak përçarje dhe më shumë unitet”, ka shkruar ai.
Zogaj ka bërë thirrje që diskutimet dhe debatet e brendshme të zhvillohen në forumet e partisë dhe në kohën e duhur.
“Debatin do ta bëjmë aty ku duhet, në organet tona dhe në kohën e duhur. Kjo është mënyra më e mirë për ta respektuar LDK-në, anëtarësinë e saj dhe qindra-mijëra qytetarë që na kanë besuar”, ka shtuar Zogaj.