Abdixhiku: Strukturat e LDK-së nuk bien pre e propagandës anti-LDK dhe oportunistëve politikë

Prishtinë | 18 Qer 2026 | 21:41 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar duke thënë se strukturat e partisë si të pjekura dhe të qarta në orientimin e tyre politik, duke thënë se ato nuk bien pre e propagandës kundër LDK-së dhe as e veprimeve të oportunistëve politikë.

Përmes një postimi pas një takimi me strukturat e partisë në Shtime, Abdixhiku tha se anëtarësia e LDK-së e di mirë se çfarë përfaqëson dhe për çfarë angazhohet.

“Strukturat e LDK-së janë të mençura, të pjekura dhe, mbi të gjitha, të qarta. Nuk bien pre e propagandës anti LDK tashmë të zakonshme e bajate; e as nuk ngatërrohen në identifikimin e oportunistëve politik, po aq të zakonshëm e të parashikueshëm. E dinë mirë çfarë përfaqësojnë dhe për çfarë angazhohen”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se strukturat e partisë nuk lejojnë që puna dhe angazhimi i tyre të shpërfillen apo të mos vlerësohen.

“Mbi të gjitha, nuk lejojnë që mundi e puna e tyre e përditshme të shpërdorohen e rezultatet t’u injorohen. Janë falënderues. E kur ke njerëz të tillë pas vetes, është e lehtë t’i përfaqësosh me dinjitet e respekt”, ka deklaruar kreu i LDK-së.

Abdixhiku bëri të ditur se takimi në Shtime ishte pjesë e aktiviteteve falënderuese me strukturat e partisë pas procesit zgjedhor, duke theksuar se mesazhet që po merr nga këto takime janë të qarta.

“Në Shtime, në një tjetër takim falënderimi me strukturat tona. Sa i qartë është mesazhi nga këto takime”, ka shkruar Abdixhiku.

Të ngjashme