Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime që lidhen me emërime në pozita të larta drejtuese, ndryshime në komisione ekzistuese dhe vazhdimin e mandatit të Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.
Sipas komunikatës, ekzekutivi ka miratuar vendimin për emërimin e Komisionit të Pranimit për kategorinë e lartë drejtuese për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
Po ashtu, është miratuar edhe vendimi për emërimin e Komisionit të Pranimit për pozitën e Komisionerit për Gjuhët.
“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin për emërimin e Komisionit të Pranimit për kategorinë e lartë drejtuese, për pozitën Komisioner për Gjuhët”, thuhet në komunikatë.
Në mbledhjen elektronike është miratuar edhe vendimi për emërimin e Komisionit të Pranimit për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv në Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale.
Qeveria ka vendosur gjithashtu të ndryshojë dhe plotësojë Vendimin Nr. 10/230 të 13 nëntorit 2024 për themelimin e Komisionit për Vlerësimin e Sistemeve të Informacionit dhe Komunikimit me Rëndësi Strategjike.
Një tjetër vendim i miratuar ka të bëjë me vazhdimin e mandatit të Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.
“Miratuar vendimin për vazhdimin e mandatit të Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, i vazhdohet mandati nga data 22.06.2026 deri më datën 22.09.2026”, thuhet në komunikatë.
Sipas Qeverisë, ky komision vazhdon punën në bazë të vendimeve paraprake të miratuara ndër vite për verifikimin e diplomave të lëshuara nga ky institucion.