Casemiro transferohet te Inter Miami, do të luajë përkrah Messit

Prishtinë | 20 Qer 2026 | 15:37 | Nga Ekonomia Online

Një tjetër emër i madh i futbollit botëror është gati t’i bashkohet MLS-së. Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, Casemiro do të jetë futbollisti më i ri i Inter Miami.

Romano ka konfirmuar me formulën e tij të famshme “Here we go”, duke bërë të ditur se marrëveshja është arritur plotësisht mes të gjitha palëve të përfshira. Akordi verbal është mbyllur dhe të gjitha procedurat formale janë zgjidhur, ndërsa tashmë mbetet vetëm nënshkrimi i kontratës dhe zyrtarizimi nga klubi amerikan.

Sipas raportimit, një nga arsyet kryesore që ka ndikuar në vendimin e mesfushorit brazilian është dëshira për të luajtur përkrah Lionel Messi. Casemiro e sheh aventurën në Shtetet e Bashkuara si hapin e radhës në karrierën e tij dhe është i gatshëm të nisë një kapitull të ri në MLS.

Transferimi i ish-yllit të Real Madrid dhe Manchester United do të përforconte ndjeshëm mesfushën e Inter Miamit, skuadër që tashmë ka mbledhur disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror.

Me ardhjen e Casemiros, Inter Miami vazhdon projektin ambicioz për të ndërtuar një skuadër konkurruese rreth Lionel Messit, duke synuar sukses jo vetëm në MLS, por edhe në garat e tjera ku merr pjesë.

Zyrtarizimi i transferimit pritet të vijë në ditët në vijim, ndërsa tifozët e klubit amerikan mezi presin të shohin një tjetër superyll brazilian të veshë fanellën rozë të Inter Miamit.

Të ngjashme