Deputeti i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërmjet partive politike dhe institucioneve, duke vlerësuar se vetëm përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse mund të tejkalohet kriza aktuale politike në vend.
Në një postim në rrjetet sociale, Haziri ka thënë se Kosova ka nevojë për qartësi politike, dy javë pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
“Kosova sot ka nevojë për agjendë të zbardhur kur jemi në fund të javës së dytë pas zgjedhjeve të 7 qershorit”, ka shkruar ai.
Sipas Hazirit, çdo marrëveshje për formimin e institucioneve duhet të bazohet fillimisht në një program zhvillimor dhe një agjendë strategjike për vendin, ndërsa ndarja e përgjegjësive institucionale duhet të vijë më pas.
“Cilido opsion që arrin marrëveshjen gjithëpërfshirëse, programin zhvillimor dhe agjendën strategjike duhet ta ketë në qendër të saj, ndërkaq skenari i ndarjes së përgjegjësive institucionale vjen në fund”, ka theksuar ai.
Haziri ka vlerësuar se bashkëpunimi politik është i domosdoshëm për të thyer, siç e ka quajtur ai, rrethin vicioz të krizave politike që kanë shoqëruar vendin.
“Bashkëpunimi partiak e institucional është udha e vetme për ta thyer rrethin vicioz, për t’i dhënë fund krizave politike, që nënkupton kthimin e stabilitetit”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka shtuar se roli i Kosovës si faktor stabiliteti në rajon varet nga stabiliteti i brendshëm dhe bashkëpunimi politik në vend.
“Kemi premtu që Republika e Kosovës është faktor i stabilitetit rajonal, duke respektu vlerat demokratike. Ky rol i stabilitetit rajonal buron nga stabiliteti dhe bashkëpunimi brenda Kosovës”, është shprehur ai.
Duke komentuar mundësinë e zgjedhjeve të reja, Haziri ka thënë se vendi nuk mund të mbështetet vazhdimisht në procese zgjedhore të shpeshta.
“Republika e Kosovës i ‘duron’ zgjedhjet e shpeshta vetëm kur e kujton që mundet me mbetë edhe pa zgjedhje një ditë”, ka shkruar ai.
Haziri ka kritikuar qasjet që përqendrojnë pushtetin te një individ apo një subjekt i vetëm politik.
“Një njeri dhe një parti është kauzë e humbur me 17 shkurt. Republika, mbi të gjithë!”, ka shtuar Haziri.