Merz: Mali i Zi praktikisht gati për pranim në BE, kapitujt e negociatave janë kryesisht të përfunduar

Prishtinë | 20 Qer 2026 | 19:10 | Nga Ekonomia Online

Kancelari gjerman Fridrih Merz ka thënë se Mali i Zi është praktikisht tashmë gati për pranimin në Bashkimin Evropian. Këtë ai e deklaroi pas samitit dyditor të liderëve të BE-së në Bruksel.

“Situata është ndryshe (krahasuar me Ukrainën) në Ballkanin Perëndimor. Me këto vende po negociojmë për anëtarësim në BE prej gati 20 vitesh dhe të paktën njëri prej tyre, pra Mali i Zi, është praktikisht gati për pranim”, tha Merc.

Ai theksoi se shumica e kapitujve negociues tashmë janë përmbyllur. Sipas tij, vendi mund të hyjë që tani në fazën përfundimtare të procesit.

“Pyetja është nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të pranohen të gjitha njëherësh apo njëra pas tjetrës. Ka arsye të mira për të thënë se duhet të pranohen të gjitha së bashku. Por ka edhe arsye të mira për të thënë se duhet të pranohen njëra pas tjetrës. Për këtë do të diskutojmë në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian. Propozimet janë në tryezë dhe ka shumë kolegë që janë të kënaqur që po dalim nga frustrimi që përjetuam vitin e kaluar, kur mbajtëm Samitin e fundit të Ballkanit Perëndimor këtu në Bruksel dhe askush në të vërtetë nuk dinte çfarë të bënte me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe si të vazhdohej përpara”, tha kancelari gjerman.

Ai shtoi se së bashku me presidentin francez Emanuel Makron po përpiqet të dalë nga kjo situatë dhe të ofrojë një propozim se si mund të ecet përpara në lidhje me këtë çështje.

“Gjithmonë them se në atë tryezë ulet kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, dhe Kroacia është vendi i fundit që iu bashkua Bashkimit Evropian para 13 vitesh. Andrej Plenkoviç është tani kryeministri me përvojën më të gjatë në atë tryezë. Nga ky shembull mund të shihet sa kohë ka kaluar dhe sa shumë kemi vonuar kur flasim për zgjerimin, veçanërisht për vendet që në fakt janë gati për t’u anëtarësuar”, nënvizoi Merc.

Deklarata e Mercit në platformën X u shpërnda nga ambasadori i Malit të Zi pranë BE-së, Petar Markoviç.

“Faleminderit shumë, nga zemra, Gjermanisë”, shkroi Markoviç.

Kujtojmë se Mali i Zi ka avancuar më së shumti në procesin e anëtarësimit, me një perspektivë reale për t’i përfunduar negociatat deri në fund të këtij viti dhe për t’u bërë anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028.

Të ngjashme