Yamal flet për vështirësitë dhe suksesin e fëmijërisë: Prindërit e mi ia dolën të bënin gjithçka

Prishtinë | 21 Qer 2026 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Ylli i Barcelonës dhe një nga talentet më të mëdha të futbollit botëror, Lamine Yamal, ka folur me shumë emocion për sakrificat që prindërit e tij kanë bërë gjatë fëmijërisë së tij, duke theksuar se suksesin e sotëm ua dedikon në masë të madhe atyre.

Në një intervistë për El Pais nga grumbullimi i Kombëtares së Spanjës në Kupën e Botës, 18-vjeçari kujtoi momentet e para që e lidhën me turneun më prestigjioz të futbollit.

“Kupa e Botës 2014 është kujtimi im i parë. Nëna ime erdhi nga puna për pjesën e dytë të ndeshjes Kolumbi–Uruguai dhe e pamë së bashku. Tani ajo është këtu me mua në Kupën e Botës. Ajo qau kur debutova me Spanjën dhe unë i thashë: ‘Si ndryshon jeta’”, rrëfeu Yamal.

Sulmuesi anësor i Barcelonës foli edhe për vështirësitë ekonomike që familja e tij ka kaluar gjatë viteve të para të jetës, duke vlerësuar përkushtimin e prindërve të tij.

“Ajo që kanë bërë nëna dhe babai im për mua është diçka që unë do ta bëja vetëm për fëmijën tim. Kur nuk ke para, është shumë e vështirë ta ndihmosh një fëmijë të luajë futboll. Është e vështirë t’i blesh dhurata apo t’i sigurosh shumë gjëra. Prindërit e mi ia dolën t’i bënin të gjitha këto dhe unë nuk do të mund t’ua shpërblej kurrë”, tha ai.

Yamal theksoi se rruga nga një fëmijëri modeste deri te statusi i një prej futbollistëve më të kërkuar në botë ka qenë rezultat i punës dhe sakrificës së tij.

“Gjithçka që dua të bëj sot, e bëj sepse nuk kam pasur mundësi ta bëj kur isha i vogël. Nuk kam frikë se mos është tepër, sepse e kam fituar vetë. Nuk kam pasur asgjë dhe gjithçka që kam sot e kam fituar duke luajtur futboll. Askush nuk ma ka dhuruar dhe nuk kam trashëguar asgjë”, deklaroi ai.

Në fund, talenti spanjoll shtoi se e vlerëson këshillën e njerëzve përreth, por beson se njeriu duhet të gëzojë frytet e punës së tij pas viteve të sakrificës.

“Besoj se kam të drejtën të bëj atë që dua me jetën time. Ajo që ke arritur me punën tënde, të takon ty. Natyrisht, këshillat janë gjithmonë të rëndësishme dhe unë i dëgjoj, por në fund duhet të jetosh dhe të shijosh atë që ke fituar vetë”, përfundoi Yamal.

Të ngjashme