Me kërkesë të të dëmtuarës, mbyllet seanca e Apelit ndaj të akuzuarës për vrasjen e kunatit

Prishtinë | 23 Qer 2026 | 15:01 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën e Apelit është zhvilluar të martën seanca lidhur me ankesat në rastin e Nazmije Millakut, e cila është dënuar me 20 vjet burgim për vrasjen e kunatit të saj, Xh.M. Seanca u mbyll për publikun me vendim të kolegjit gjykues, pas kërkesës së palës së dëmtuar dhe mbrojtjes, me arsyetimin se duhet të mbrohen interesat dhe identiteti i fëmijëve të të akuzuarës, të cilët kanë qenë dëshmitarë gjatë procedurës gjyqësore.

Megjithëse avokatja e saj, Mirvete Hashani, mbështeti mbylljen e seancës, vetë Nazmije Millaku u shpreh kundër këtij vendimi, duke kërkuar që procesi të jetë publik.

“Kam qejf m’u kanë publike, me ditë gjithçka edhe tjerët çka unë kam vujt në atë shpi. Prej anës teme i pranoj gazetarët, unë jam viktimë këtu, jo këta. 30 vjet kam duru”, deklaroi Millaku para trupit gjykues, shrkuan Betimi për Drejtësi..

Kryetari i kolegjit të Apelit, Xhevdet Abazi, njoftoi se pavarësisht kundërshtimit të të akuzuarës, seanca do të zhvillohet pa praninë e publikut për shkak të interesit më të lartë të fëmijëve. Në përbërje të kolegjit ishin edhe gjyqtarja referuese Kadrije Goga-Lubishtani dhe anëtari Skender Çoçaj.

Në seancë morën pjesë e akuzuara me mbrojtësen e saj dhe e dëmtuara S.M., ndërsa nga Prokuroria e Apelit nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 mars 2026 e kishte shpallur Nazmije Millakun fajtore për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe e kishte dënuar me 20 vjet burgim. Ajo ishte liruar nga akuza për “Armëmbajtje pa leje”.

Sipas aktakuzës, më 20 gusht 2024 në korridorin e përbashkët të shtëpive të tyre në Prishtinë, Millaku dyshohej se kishte privuar nga jeta kunatin e saj, Xh.M., duke shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të tij. Sipas autopsisë, viktima kishte pësuar 18 plagë nga 11 të shtëna, ndërsa vdekja ishte shkaktuar nga dëmtimet e rënda në tru dhe gjakderdhja masive.

Prokuroria pretendon se e akuzuara ishte përgatitur paraprakisht për kryerjen e veprës, duke ndjekur kurs për përdorimin e armëve dhe duke siguruar armë e municion. Ajo akuzohej gjithashtu për posedim të paautorizuar të armës dhe municionit, por për këtë pikë ishte liruar nga akuza me aktgjykimin e shkallës së parë.

Të ngjashme