Imri Ahmeti dje kishte ofruar dorëheqje edhe nga pozita e kryetarit të degës në Lipjan

Prishtinë | 24 Qer 2026 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

LDK momentalisht gjendet në një kaos. Degë të ndryshme e figura të rëndësishme po kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Fillimisht, dega e LDK-së në Pejë që udhëhiqet nga Gazmend Muhaxheri doli me komunikatë ku kërkoi largimin e lidershipit.

Pas saj, doli dega në Lipjan, që udhëhiqet nga Imri Ahmeti.

Ndaj kësaj kërkese u kundërpërgjigj Abdixhiku duke i quajtur sabotues Muhaxherin dhe Ahmetin dhe kërkoi dorëheqjen e tyre pasi humbën në komunat e tyre në zgjedhjet e 7 qershorit.

Imri Ahmeti gjatë mbledhjes së djeshme në degë kishte ofruar dorëheqjen nga pozita e kryetarit, por ishte refuzuar nga anëtarët e degës.

Këtë e ka konfirmuar kandidati për deputet nga Lipjani, Armend Grajqevci.

“Si parti që në themelin e saj ka demokracinë, në mbledhjen e kryesisë së degës dhe të kryetarëve të nëndegëve u diskutua rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit. Kërkesa për dorëheqjen e z. Lumir Abdixhiku nuk ka ardhur nga këta anëtarë apo kryetarë nëndegësh, por nga aktivistë dhe qytetarë, zëri i të cilëve është përcjellë përmes kësaj strukture.”, tha ndër të tjera Grajqevci.

Të ngjashme