Makina futet mes tifozëve në Meksikë, 17 të lënduar

Prishtinë | 25 Qer 2026 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Të paktën 17 persona kanë mbetur të lënduar pasi një automjet u fut mes një turme tifozësh që po festonin fitoren e kombëtares së Meksikës në Kupën e Botës 2026.

Sipas një deklarate të përbashkët të autoriteteve lokale dhe policisë komunale të Los Cabos, ngjarja ndodhi rreth orës 21:05 me orën lokale në bulevardin Lázaro Cárdenas, në zonën turistike të Cabo San Lucas.

Autoritetet bëjnë të ditur se automjeti u përplas me turmën gjatë festimeve masive të organizuara pas triumfit të kombëtares meksikane në Botëror.

“Ngjarja ndodhi gjatë një grumbullimi të madh qytetarësh që po festonin fitoren e kombëtares së Meksikës në Kupën e Botës FIFA, duke shkaktuar lëndimin e disa personave”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Sipas autoriteteve, drejtuesi i automjetit, i cili po lëvizte në atë rrugë, u rrethua nga persona që po bllokonin kalimin dhe ushtruan presion fizik ndaj automjetit të tij. Në ato rrethana, ai kreu një përshpejtim të papritur, duke përplasur disa këmbësorë.

Në rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë edhe video të dyshuara që pretendohet se tregojnë momentin e incidentit.

Një deklaratë tjetër e autoriteteve konfirmon se të paktën 17 persona kanë mbetur të lënduar.

Shërbimet e emergjencës dhe policia mbërritën menjëherë në vendngjarje për t’u dhënë ndihmën e parë të plagosurve dhe për të nisur hetimet mbi rrethanat e incidentit.

Deri më tani nuk janë bërë të ditura shkaqet e plota të ngjarjes apo gjendja shëndetësore e të lënduarve, ndërsa autoritetet kanë njoftuar se hetimet po vazhdojnë.

Të ngjashme