Dy zyrtarë policorë dyshohen se kanë sulmuar njëri-tjetrin brenda Stacionit Policor Jugu në Prishtinë.
Kjo ngjarje mes tyre dyshohet se ka ndodhur pasi që ata janë përfshirë paraprakisht në një mosmarrëveshje.
Rastin e kanë konfirmuar për Klankosova.tv nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Sipas IPK-së, dy policët dyshohen për veprën penale “Sulm”.
“Nga veprimet fillestare hetimore të ndërmarra nga Inspektorati Policor i Kosovës ekziston dyshimi se mbrëmë dy zyrtarë policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare brenda objektit të Stacionit Policor Jugu, janë përfshirë në një mosmarrëveshje me njëri-tjetrin dhe se të njëjtit janë të dyshuar për veprën penale ‘Sulm’”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.
IPK-ja nuk ka bërë të ditur ende rrethanat që çuan në mosmarrëveshjen mes dy zyrtarëve policorë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Sipas IPK-së, çdo veprim i zyrtarëve policorë që cenon integritetin policor apo ndikon negativisht në profesionalizmin e Policisë së Kosovës do të trajtohet me seriozitet.
“Secili veprim i zyrtarëve policorë që mund të cenojë integritetin policor ose mund të ndikojë negativisht në profesionalizmin e Policisë së Kosovës do të trajtohet me seriozitet të plotë nga Inspektorati Policor i Kosovës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.