Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ndarë detaje nga takimi me presidentin francez, Emmanuel Macron, që e ka zhvilluar para pak ditësh në Paris.
Takimin me Macronin, Rama e ka cilësuar si një tjetër hap në forcimin e dialogut politik mes Shqipërisë dhe Francës.
Në podkastin “Flasim”, Rama ka thënë se presidentin francez ka diskutuar mbi ecurinë e partneritetit strategjik mes dy vendeve, si dhe mbi mbështetjen e Francës për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.Sipas Ramës, në fokus të bisedës ishin edhe zhvillimet që lidhen me të ardhmen e BE-së dhe roli i Francës në procesin e zgjerimit.
Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se Parisi mbetet një partner i rëndësishëm për avancimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë.
“Franca, si një nga vendet që ka një peshë domethënëse në raport me zgjerimin, ka një rol të rëndësishëm për sa i përket shtytjes më përpara të një ideje se perspektiva europiane e Shqipërisë dhe e vendeve të tjera që negociojnë është e padiskutueshme, por, nga ana tjetër, duhen gjetur mekanizma të rinj, gjë që u shkrua edhe në letrën e përbashkët të Presidentit Emmanuel Macron me Kancelarin Friedrich Merz.”, ka deklaruar Rama.