Ajvazi: Bizneset po përballen me sfida të vazhdueshme, energjia dhe rritja e kostove mbeten problemet kryesore

Prishtinë | 12 Kor 2026 | 08:26 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, Kushtrim Ajvazi në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se bizneset në Kosovë po përballen vazhdimisht me sfida të natyrave të ndryshme, duke përmendur krizën energjetike, rritjen e çmimeve dhe vështirësitë në sigurimin e konkurrueshmërisë në tregjet e jashtme.

Ai tha se vitin e kaluar sfidë kryesore ishte dalja në tregun e lirë të energjisë elektrike, ndërsa këtë vit ndikim kanë pasur rritjet e çmimeve si pasojë e luftës mes Iranit dhe Izraelit.

“Po, bizneset janë duke u përballur vazhdimisht me probleme, domethënë të natyrave të ndryshme. Vitin e kaluar ne kemi pasur problemin e energjisë elektrike,  e daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike, këtë vit e kemi çështjen e ngritjes së çmimeve për shkak të luftës së Iranit. Domethënë, kemi ballafaqime të vazhdueshme me sfida, po normalisht po mundohemi me u përballë që me vazhdu me prodhu edhe me rrit prodhimin sa më shumë në këtë vend”, tha Ajvazi.

Ai theksoi se prodhuesit vendorë po punojnë vazhdimisht për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe rritjen e numrit të të punësuarve.

“Po, prodhimi vazhdimisht është duke u mundu me e zgjeru kapacitetin e vet prodhues, normalisht edhe rritjen e numrit të punëtorëve”, u shpreh ai.

Sipas tij, produktet vendore tashmë kanë depërtuar në tregun evropian falë standardeve ndërkombëtare, ndërsa mbështetja institucionale do të ishte e mirëseardhur për të ruajtur konkurrueshmërinë.

“Fatmirësisht, produktet tona janë të certifikuara me standarde ndërkombëtare edhe kanë depërtuar në tregun evropian. E konkurrueshmëria është ajo që ka të bëjë me çmimin, domethënë në rastet kur kemi situata të ngritjeve të çmimeve të lëndëve të para edhe të faktorëve të cilët mund t’i ndihmojë qeveria, qoftë direkt apo indirekt. Ajo është e mirëseardhur në mënyrë që mos të humbi tregu i jashtëm”, tha Ajvazi për Ekonomia Online.

I pyetur për masat konkrete të ndërmarra nga institucionet, ai u shpreh shkurtimisht se nuk ka parë diçka konkrete.

“Nuk kam parë ende diçka konkrete deri më tani”, tha ai.

Ajvazi vlerësoi se Kosova ka potencial të madh për zgjerimin e përpunimit të produkteve dhe nënprodukteve, duke u bazuar në nivelin e lartë të importeve.

“Në bazë, nëse ne në bazë kryesore e kemi importin, nga të dhënat e importit shohim që ka mundësi shumë të madhe të zgjerimit të përpunimit të produkteve dhe nënprodukteve të tjera”, tha Ajvazi.

Ai tha se një nga sfidat kryesore mbetet furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike, pasi ndërprerjet po ndikojnë në proceset e prodhimit dhe në rritjen e kostove.

“Po, në përgjithësi, domethënë, një prej sfidave kryesore që jemi duke u ballafaquar kohën e fundit është sigurimi i qëndrueshëm me energji elektrike, ku një pjesë e bizneseve kanë ndërprerje të energjisë elektrike dhe kjo normalisht që ndikon edhe në proceset e prodhimit, në rritje të kostove. Edhe ne ajo çka po kërkojmë, domethënë, me kriju alternativa të furnizimit të energjisë elektrike, sikur që është rasti përmes tubacionit të gazit nga Shkupi, edhe përdorimit të gazit amerikan”, theksoi në fund Ajvazi.

Të ngjashme