Portieri i Kombëtares së Kosovës, Amir Saipi, i ka dhënë fund aventurës së tij me Luganon dhe do ta vazhdojë karrierën në futbollin spanjoll.
Klubi zviceran ka konfirmuar largimin e 26-vjeçarit, i cili do të transferohet te CD Castellón, skuadër që garon në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll.
Saipi iu bashkua Luganos më 10 shtator 2021 nga Schaffhauseni dhe gjatë pesë sezoneve me fanellën bardhezi zhvilloi 180 ndeshje, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit.

Destinacioni i tij i ri është Castellóni, klub që sezonin e kaluar u eliminua në “play-off” për inkuadrim në La Liga nga Almeria. Në edicionin e kaluar, portier titullar i skuadrës ishte belgu Roman Matthys, i cili regjistroi 40 paraqitje në kampionat.
Shuma zyrtare e transferimit nuk është bërë publike, por mediat zvicerane raportojnë se marrëveshja kap vlerën e rreth 1 milion eurove, duke përfshirë bonuset dhe një përqindje nga shitja e ardhshme e portierit kosovar.
Lugano kishte përgatitur tashmë zëvendësimin e Saipit, pasi gjatë kësaj afati kalimtar transferoi portierin gjerman Felix Gebhardt, 24 vjeç, i ardhur nga Regensburg, i cili pritet të jetë rezervë e David von Ballmoos.

Kalimi në Spanjë përfaqëson një hap të ri në karrierën e Amir Saipit, i cili synon të vazhdojë zhvillimin e tij në një kampionat konkurrues dhe të ruajë vendin e titullarit edhe në Kombëtaren e Kosovës.