Ferati: Nuk ka asnjë nënshkrim të deponuar për Kuvend të jashtëzakonshëm të LDK-së

Prishtinë | 14 Kor 2026 | 14:31 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, ka deklaruar se deri më tani nuk është deponuar asnjë nënshkrim për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë, pavarësisht raportimeve të fundit në media, raporton Ekonomia Online.

Ferati tha se LDK-ja do të trajtojë me seriozitet çdo kërkesë që plotëson kriteret statutare, por theksoi se aktualisht nuk ekziston asnjë iniciativë e formalizuar brenda partisë.

“Kanë qarkulluar lajme ditën e djeshme, edhe gjatë ditës së sotme, tek të cilat nuk pashë ndonjë burim të cituar të informacionit, qoftë ndonjë eksponent serioz i LDK-së, qoftë ndonjë grup serioz të LDK-së, edhe deri më tani nuk ka asnjë nënshkrim të deponuar. Përndryshe, në momentin që ka kërkesa brenda organeve të LDK-së, sigurisht që me urgjencë e me seriozitet të madh do të trajtohen nga ne si parti dhe do të shqyrtohen deri në realizimin përfundimtar të kërkesave që e plotësojnë shumicën e numrit të caktuar të delegatëve. Për momentin, e deri më tani kur po flasim, nuk ka numër, as nuk ka nënshkrime të deponuara brenda zyrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha ai.

Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk i shmanget procedurave statutare dhe ka dëshmuar vazhdimisht përkushtim ndaj demokracisë së brendshme në parti.

“Përndryshe, jemi të gatshëm, e thashë edhe në fillim, që t’i trajtojmë ddhe normalisht të dalim deri në Kuvend. Kryetari Abdixhiku nuk është hera e parë, sigurisht e s’do të jetë as e fundit, i ka tri kuvende që i ka kaluar me votë të fshehtë edhe absolutisht aspak nuk është që i ikën procedurave statutare të LDK-së. Ai është një prej kryetarëve që e ka kultivuar në vazhdimësi demokracinë brenda LDK-së dhe demokracinë statutare brenda rregullave të statutit”, tha ai.

Për praninë e ish-presidentes Vjosa Osmani në zyrat e LDK-së dhe në takimin e fundit me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, Ferati tha se Osmani ka qenë pjesë e listës zgjedhore të LDK-së dhe se fokusi aktual i partisë mbetet formimi i institucioneve.

“E para, nuk është veç sot që zonja Osmani është prezente në zyrën e LDK-së, është në baza ditore varësisht prej situatave që zhvillohen përbrenda LDK-së. Së dyti, ka qenë bartëse e listës së LDK-së me vendim të Kuvendit të Përgjithshëm, që është organ që vendos për bartësen e listës. Së treti, LDK-ja fokus të agjendës e ka themelimin e institucioneve të Kosovës, dhe po mendoj që kjo është tema kryesore për krejt palët brenda përbrenda Lidhjes Demokratike, edhe po mendoj që është përgjigja kryesore që po e presin qytetarët e Republikës së Kosovës prej LDK-së, e jo se a po organizohet ose jo një kuvend”, tha ai.

LEXO EDHE:

Në fund, sekretari i LDK-së u bëri thirrje strukturave të partisë që debatet dhe pakënaqësitë t’i trajtojnë brenda forumeve partiake dhe jo në publik.

“Mbledhja e nënshkrimeve është shprehje demokratike, e një të drejte demokratike të njerëzve që kanë besim ndryshe, po e quaj kështu, siç kanë bindje ndryshe. Nuk besoj që ka përbrenda LDK-së as kryetar dege, as deputet të zgjedhur, e as eksponent serioz që dëshiron me e pengu themelimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, qofshin ata që po i mbledhin nënshkrimet, qofshin ata që po i refuzojnë ato”.

“Mua më mbetet si Sekretar i LDK-së me bë thirrje për qetësi edhe delegatëve, në të njëjtën kohë edhe kryetarëve të degëve, kolegëve të mi që po e deklarojnë në publik situatën, me i ruajt mendimet e tyre politike për brenda organeve të LDK-së. Fundja, kjo është pjesa jonë e demokracisë, kjo është e përbashkëta e të gjithëve. Nuk është e individëve, edhe këtu brenda këtyre forumeve e kemi të obliguar edhe me statut, edhe me moral politik, që me i diskutu çështjet të cilat neve na preokupojnë ose na shqetësojnë, e jo me e shqetësu anëtarësinë e gjerë, të cilët janë votues që kanë besim të pathyeshëm për LDK-në deri më tani”, tha Ferati, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme