Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka mirëpritur emërimin e Zejnulla Gashit në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Përmes, një postimi në profilin e tyre në rrjetin social Facebook, Ambasada britanike i ka uruar sukses Gashit në detyrën e re, duke theksuar rëndësinë e forcimit të pavarësisë dhe transparencës së sistemit prokurorial në Kosovë.
Ambasada ka theksuar se pret që udhëheqja e re të ndërmarrë masat e nevojshme për të siguruar që sistemi prokurorial i Kosovës të funksionojë si një institucion i pavarur, transparent dhe llogaridhënës.
“Mirëpresim emërimin e një Kryeprokurori të ri të Shtetit pas një ndërprerjeje prej disa vitesh. I urojmë Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, sukses në zbatimin e masave të nevojshme për të siguruar që sistemi prokurorial i Kosovës të funksionoj si një institucion i pavarur, transparent dhe llogaridhënës. Kjo do të kontribuojë në ushtrimin efektiv dhe efikas të funksioneve prokuroriale, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Ambasadës britanike.