Mbi 1 mijë aplikantë më shumë në UP, Hajrullahu: Kemi studentë të pranuar edhe nga diaspora për herë të parë

Prishtinë | 17 Kor 2026 | 08:10 | Nga Erza Hetemi

Universiteti i Prishtinës ka shënuar rritje të interesimit për studime për vitin e ri akademik vetëm në afatin e parë, me mbi 1 mijë aplikantë më shumë krahasuar me vitet e kaluara.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se ky trend është veçanërisht i rëndësishëm duke pasur parasysh rënien e vazhdueshme të numrit të popullsisë.

“Në përgjithësi shumë mirë, jemi shumë të kënaqur që këtë vit ka pasur aplikantë edhe më shumë sesa vitet paraprake, numri mbi 1000 aplikantë më shumë për t’u bërë studentë të Universitetit të Prishtinës, është shumë domethënës duke pasur parasysh edhe trendet demografike që janë në rënie, ky 1000-shi është edhe më shumë se 1000”, tha ai.

Sipas tij, interesimi ka qenë i lartë pothuajse në të gjitha njësitë akademike, ndërsa programet e shkencave kompjuterike dhe mjekësisë vazhdojnë të jenë ndër më të kërkuarat.

“Në përgjithësi ka pasur interesim në të gjitha drejtimet, si zakonisht në drejtimet e shkencave kompjuterike, mjekësia po edhe fakultetet e ndryshme, juridiku, ekonomiku, thuajse të gjitha kanë pasur një numër të madh të aplikantëve për t’u bërë studentë të Universitetit të Prishtinës”, u shpreh Hajrullahu.

Megjithatë, rektori theksoi se disa programe kanë pasur më pak aplikantë, por nënvizoi rëndësinë që ato kanë për zhvillimin akademik dhe shkencor të vendit.

“Kemi disa drejtime ku ka numerikisht më pak të interesuar, për shembull drejtimet e orientalistikës, ballkanistikës, histori e disa drejtime, mirëpo edhe në ato drejtime nuk është e domosdoshme të ketë numër të madh, në ato drejtime ne si universitet, por edhe si vend, si Kosovë, kemi jashtëzakonisht nevojë për cilësi më të lartë edhe njerëz që me të vërtetë i bëjnë ato studime me pasion dhe janë e ardhmja e atyre disiplinave shkencore”, deklaroi ai.

Ai bëri të ditur se në shumë programe të studimit të gjitha vendet janë plotësuar që në afatin e parë të pranimit, ndërsa do të organizohet edhe një afat i dytë për programet ku kanë mbetur vende të lira.

Ndërsa, një zhvillim që Hajrullahu e cilësoi si befasi pozitive është pranimi i studentëve nga diaspora.

“Në shumë drejtime veç janë plotësuar që të gjitha vendet që në afatin e parë, do të ketë edhe një afat të dytë për aty ku ka ende vende të lira. Dhe çfarë jam shumë i lumtur e që është befasi, që nuk e kam pritur, është se për herë të parë sipas vendimit që e kemi marrë dhe politikave që i kam zhvilluar, kemi studentë të pranuar edhe nga diaspora, pra kemi vendosur vende të rezervuara, jo vetëm për vendet fqinje të Kosovës, po edhe për arbreshët, për shqiptarët e Turqisë, si dhe për diasporën gjithandej. Dje u informova se ka një numër të studentëve nga diaspora, vende të ndryshme të botës, që kanë origjinë nga Kosova, që kanë aplikuar dhe janë bërë studentë të Universitetit të Prishtinës”, tha ai.

Duke folur për prioritetet e universitetit, rektori tha se fokusi do të mbetet në rritjen e cilësisë, ndërkombëtarizimin dhe transformimin digjital.

“Është rritja e cilësisë duke e forcuar interdisiplinaritetin brenda fakulteteve, njësive, departamenteve këtu brenda Universitetit të Prishtinës, pra zhvillimi i programeve shumë disiplinore dhe ndërdisiplinore, e sidomos në nivelin e doktoratave. Nën dy është ndërkombëtarizimi, që ta sjellim botën në Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin e Prishtinës në botë, gjithandej. Si dhe çështja e digjitalizimit, transformimit digjital, këto janë tri shtyllat kryesore të punës sonë, të bazuar në dy parime, në parimin e ligjshmërisë dhe të meritokracisë”, përfundoi ai.

Të ngjashme