Një person është arrestuar në Podujevë nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, aksioni është zhvilluar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia në Prishtinë, në kuadër të Planit Operativ “Vera 2026”, pas pranimit të informatave se një person dyshohej se merrej me shitblerje të lëndëve narkotike.
I dyshuari është lokalizuar në një lokal në qytetin e Podujevës, ku gjatë kontrollit policia ka gjetur dhe konfiskuar gjashtë paketime me lëndë narkotike, që dyshohet të jetë marihuanë, si dhe dëshmi të tjera që lidhen me rastin.
Personi i arrestuar, me inicialet F.S., mashkull kosovar, është intervistuar nga hetuesit, ndërsa ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
