Agim Rexhepi: Kosova nuk duhet të mbetet jashtë proceseve strategjike të SHBA-së në fushën e energjisë

Prishtinë | 18 Kor 2026 | 17:08 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se Republika e Kosovës duhet t’i kushtojë rëndësi mesazheve strategjike që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe infrastrukturës energjetike.

Sipas Rexhepit, asnjë shtet nuk duhet të mendojë se mund të veprojë pa marrë parasysh interesat strategjike të SHBA-së.

“Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare na mëson se, kur janë në pyetje interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, asnjë shtet nuk duhet të mendojë se mund të qëndrojë indiferent apo të veprojë jashtë zhvillimeve globale”, ka shkruar ai.

Ai vlerësoi se siguria energjetike është shndërruar në një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme amerikane.

“Për këdo që i ndjek me vëmendje komunikatat e Shtëpisë së Bardhë, deklaratat e Presidentit Donald Trump, Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe institucioneve të tjera relevante amerikane, është e qartë se siguria energjetike dhe infrastruktura energjetike janë shndërruar në një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme amerikane. Kjo temë është pjesë qendrore e diskutimeve me liderë nga rajone të ndryshme të botës, sepse energjia nuk është më vetëm çështje ekonomike – ajo është çështje sigurie kombëtare dhe gjeopolitike”, u shpreh Rexhepi.

Në postimin e tij, ai përmendi edhe Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë për infrastrukturën energjetike dhe sigurinë rajonale të energjisë, si dhe mbështetjen e Departamentit amerikan të Shtetit për vazhdimin e projektit hidroenergjetik Gjerdap III.

Sipas tij, këto zhvillime duhet të shërbejnë si sinjal edhe për Kosovën.

“Këto zhvillime duhet të shërbejnë si sinjal serioz edhe për Republikën e Kosovës. Ne nuk duhet të mbetemi spektatorë në proceset strategjike që po formësojnë të ardhmen energjetike dhe ekonomike të rajonit. Kosova ka nevojë për vizion, për koordinim të ngushtë me aleatët dhe për pjesëmarrje aktive në iniciativat që forcojnë partneritetin me Shtetet e Bashkuara”, ka theksuar ai.

Rexhepi shtoi se miqësia me SHBA-në duhet të reflektohet përmes politikave konkrete shtetërore.

“Miqësia me SHBA-në nuk duhet të mbetet vetëm një kujtim i lavdishëm i historisë sonë. Ajo duhet të jetë një politikë shtetërore e përditshme, e mbështetur me vendime konkrete, përgjegjësi dhe orientim të qartë strategjik”, shkroi ai.

Në fund, ai ngriti një pyetje lidhur me orientimin strategjik të Kosovës.

“Prandaj, me respekt të plotë, shtroj një pyetje që besoj se e bëjnë shumë qytetarë të Republikës së Kosovës: A po i lexojmë drejt mesazhet strategjike që vijnë nga aleati ynë më i madh, apo po rrezikojmë të mbetemi jashtë proceseve që do të përcaktojnë të ardhmen e rajonit?”, përfundoi Rexhepi.

Të ngjashme