“Tregu në Rrota” me prodhime vendore niset nga Prishtina në 7 qytete tjera

Prishtinë | 20 Kor 2026 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Që nga e hëna, nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ka nisur “Tregu në Rrota”, një iniciativë që synon t’i afrojë prodhuesit vendorë dhe produktet e Kosovës më pranë qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

“Tregu në Rrota” është konceptuar si një treg lëvizës që do të udhëtojë në shtatë qytete të Kosovës – një iniciativë e Shoqatës së Përpunuesve të Frutave dhe Perimeve të Kosovës (PePeKo), në partneritet me Bankën për Biznes (BPB) dhe me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Drejtori i PePeKo-s, Artim Gashi, tha se përveç konsumatorëve vendorë, edhe qytetarët nga diaspora do të kenë mundësi t’i blejnë produketet vendore.

“E kemi quajtur ‘Tregu në Rrota’ pasi që ky treg do të lëvizë në të gjithë Kosovë. Do të vizitojmë shtatë prej qendrave të Kosovës, ku ka për qëllim që t’i lidhë prodhuesit vendorë lokalë me konsumatorët dhe t’u ofrojë mundësi bizneseve që t’i shesin produktet e tyre jo vetëm tek konsumatorët që jetojnë në Kosovë, por edhe diasporën tonë, e cila këto ditë frekuenton jashtëzakonisht shumë vendin tonë”, tha Gashi.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se kjo iniciativë u mundëson bizneseve që të kenë një lloj ekonomie qarkore.

“Është një iniciativë që po e shoh se është pak më ndryshe, dhe secila iniciativë që u ndihmon bizneseve të vogla e bizneseve të mesme në kryeqytet e në gjithë Kosovën është një iniciativë e mirëseardhur. Përveçse u ndihmon këtyre bizneseve, secili biznes mban familje, pra jo vetëm një, por familje të tëra sepse krijon një lloj ekonomie qarkore që i ndihmon zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve në kryeqytet dhe në gjithë Kosovën. Prandaj, ju jam shumë falënderues për këtë iniciativë të mrekullueshme. Ju ftoj po ashtu të gjithë qytetarët që vizitojnë sheshin ‘Zahir Pajaziti’ që t’i vizitojnë këto stenda dhe të njoftohen edhe më për së afërmi me bizneset, të cilat prezantojnë produktet e tyre sot këtu në kryeqytet. Njëherësh, ju uroj çdo të mirë edhe në udhëtimet në qytetet e tjera në Kosovë, sepse ndërlidhja e bizneseve të kryeqytetit me bizneset në pjesët e tjera të Kosovës është po ashtu e mirëseardhur dhe krijon një zhvillim edhe më të hapur e më të mirë ekonomik në gjithë vendin tonë”, tha Rama.

Drejtori i BERZH-it, Sergiy Maslichenko, tha se këto aktivitete bëhen me qëllim që të ndihmohen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të hyjnë në treg.

“Mbështetja për NVM-të (ndërmarrjet e vogla dhe të mesme) është një strategji kyçe e BERZH-it, dhe këto aktivitete janë pjesë e mbështetjes sonë më të gjerë. Ne dëshirojmë t’i ndihmojmë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të depërtojnë në treg, të kenë qasje në financim, gjë që shpesh është shumë e vështirë në Kosovë. Me partnerin e duhur, siç është BPB në këtë rast, jemi të bindur se jemi në rrugën e duhur”, tha ai.

“Ky është edhe objektivi i nismave tona. Do të ketë edhe shumë ekspozita të tjera si kjo në qytete të ndryshme, dhe është vërtet kënaqësi të mbështesim iniciativa të tilla reale, praktike dhe konkrete. U uroj suksese të gjithë partnerëve tanë dhe miqve që janë këtu. Siç e shihni, kemi edhe një shenjë të mirë mund të bjerë shi së shpejti, gjë që është shumë e mirë për perimet dhe frutat”, tha ai.

Të ngjashme